Niveli ekstremisht i ulët i Danubit zbulon një skenë historike dhe të rrezikshme në qendër të Budapestit

Niveli ekstremisht i ulët i lumit Danub, i shkaktuar nga një periudhë e gjatë thatësire të madhe, ka zbuluar një pamje historike dhe të rrezikshme në qendër të kryeqytetit hungarez.

Në afërsi të Parlamentit hungarez, nga shtrati i lumit kanë dalë në sipërfaqe mbetje nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat kishin mbetur të paprekura për 81 vjet.

Kalimsit e rastit dhe autoritetet lokale kanë vërejtur një konstruksion metalik dhe materiale të ndryshme në baltë, pas së cilës menjëherë janë thirrur ekipe të specializuara piroteknike dhe arkeologë ushtarakë.

Në vendngjarje janë zbuluar edhe mbetjet mortore të dy pjesëtarëve të Wehrmacht-it gjerman, zhdukja e të cilëve daton që nga luftimet dramatike për Budapestin gjatë dimrit të viteve 1944–1945.

Përveç mbetjeve njerëzore, në të njëjtin vend është gjetur edhe një motoçikletë ushtarake e ruajtur mirë me rimorkio, disa bidonë karburanti, si dhe mina aktive kundërtank.

Pasi zona u sigurua dhe u bllokua menjëherë për këmbësorët dhe mjetet lundruese, ekipet ushtarake të çminimit nisën një operacion delikat për neutralizimin dhe largimin e sigurt të mjeteve shpërthyese.

Për shkak të afërsisë me ndërtesën monumentale të Parlamentit dhe bulevardet e frekuentuara, protokollet e sigurisë u ngritën në nivelin më të lartë.

Sipas vlerësimeve fillestare të historianëve, besohet se automjeti dhe ushtarët kanë përfunduar në lumë gjatë rrethimit të Budapestit, një nga betejat më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore, gjatë përplasjes mes forcave gjermano-hungareze dhe Ushtrisë së Kuqe.

Në atë periudhë, një pjesë e madhe e urave mbi Danub u shkatërruan gjatë tërheqjes së forcave gjermane dhe hungareze, ndërsa qyteti u shndërrua në një nga fushëbetejat më të ashpra të fazës së fundit të luftës.