Meqenëse infrastrukturën e Microsoft e përdorin edhe kompani të tjera teknologjike, probleme shtesë janë shfaqur edhe te kompani si OpenAI dhe Anthropic.
Microsoft është përballur me një ndërprerje globale të funksionimit të disa prej shërbimeve të tij, përfshirë Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, të cilat kanë pasur probleme me lidhjen. Të enjten janë regjistruar një numër i madh raportimesh për probleme me shërbimet e Microsoft, ndërsa nga kompania kanë bërë të ditur se shkaku ishte ngarkesa e shtuar në infrastrukturën e saj, që do të thotë se serverët ishin nën presion më të madh se zakonisht.
Meqenëse infrastrukturën e Microsoft e përdorin edhe kompani të tjera teknologjike, probleme shtesë janë shfaqur edhe te kompani si OpenAI dhe Anthropic, të cilat gjithashtu kanë raportuar vështirësi në funksionimin e mjeteve të tyre.
Gjiganti teknologjik fillimisht deklaroi se po vërente rezultate pozitive në përpjekjet për rikthimin e shërbimeve. Megjithatë, disa orë më vonë, në një njoftim shtesë bëri të ditur se ndërhyrjet për riparimin e problemeve nuk po zhvilloheshin sipas pritshmërive dhe se ende po punohej për zgjidhjen e tyre në disa drejtime.
Charles Lamanna, një nga drejtuesit e Microsoft, deklaroi se ky nuk është një incident i lidhur me sigurinë kibernetike.
Nga sistemet qeveritare në Singapor dhe Japoni, përmes shërbimeve australiane të inteligjencës, e deri te sistemet e komunikimit të Gjykatës Supreme të Filipineve, pasojat e kësaj ndërprerjeje janë ndier në të paktën 74 vende të botës. Më shumë se 430 milionë njerëz përdorin aplikacionet e paketës Microsoft 365.
Në njoftimin e fundit, Microsoft thekson se ndryshimet që synonin përmirësimin e shërbimeve dhe eliminimin e ndërprerjes nuk po japin rezultatet e pritshme. Kompania po teston mënyra të tjera për zgjidhjen e problemit, me qëllim që t’u mundësojë qasje në platforma një numri më të madh përdoruesish, pa i mbingarkuar sistemet. Më herët, kompania kishte paralajmëruar se shërbimet e rikthyera në funksion mund të ndërprisnin sërish përgjigjen sapo të përballeshin me rritje të trafikut.
Veçanërisht është prekur shërbimi i postës elektronike Outlook, i cili për shumë përdorues është jashtë funksionit. Nga Microsoft bëjnë të ditur se përdoruesit mund të mos kenë mundësi të shohin gjithashtu disa skedarë ose detaje të caktuara në aplikacionet e kalendarit. Shërbimet e shkëmbimit të mesazheve dhe takimeve online, në përgjithësi, vazhdojnë të funksionojnë.
Ndërprerja ka ndikuar edhe në shërbimet australiane të inteligjencës dhe policinë federale, megjithëse zyrtarët thonë se ndikimi është minimal.
“Problemet me të cilat po përballen kanë të bëjnë kryesisht me sistemin e postës elektronike”, deklaroi për gazetarët Mike Burgess, drejtues i Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO).
Edhe ofrues të tjerë të shërbimeve publike në Australi kanë konfirmuar se janë prekur nga ndërprerja, por gjithashtu kanë theksuar se problemet lidhen kryesisht me postën elektronike.
