GazetaMax
Lajme

Një vit pa romansierin Luan Starova

Në ditën e sotme, para një viti, ndërroi jetë një nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, Luan Starova, i cili është një fenomen letrar që bashkon prejardhjen e tij(nga Shqipëria), mileun krijues ku ka jetuar(Maqedoninë dhe Ballkanin në tërësi) dhe kufijtë gjeografikë e letrarë që i shpërtheu vepra e tij madhështore që përbën rreth 20 romane dhe shumë vepra të tjera e botuar në dhjetëra gjuhë, që pas Kadaresë e bën shkrimtarin e dytë shqiptar më të përkthyer në botë.

Biografia e tij është e pasur edhe me faktin që ai është ndër gazetarët e parë shqiptarë televizivë, duke qenë në bërthamën e redaksisë së emisioneve në gjuhën shqipe të Televizionit të Shkupit të atëhershëm në fund të viteve 60-të dhe fillim të viteve 70-të, ndërkaq më vonë do të kalojë në diplomaci, duke shërbyer dekada në vendet arabe, ndërkaq karrierën diplomatike do ta përfundojë si ambasador i Maqedonisë pluraliste në Paris. Qëndrimi shumëvjeçar në Paris do t’i krijojë mundësinë të hulumtojë nëpër arkivat franceze për të zbuluar shumë fakte interesante të relacioneve të Faik Konicës dhe Gijom Apolinerit, që ai e solli për lexuesit shqiptarë, së pari në formë të fejtonit në gazetën “Flaka e vëllazërimit” e më pas edhe si libër, që paraqet hulumtimin më të plotë kushtuar angazhimit politik e intelektual të Faik Konicës. Në fushën e eseistikes, pos veprave të tjera, shquhet edhe ajo kushtuar piktorit të madh Omer Kaleshin, i cili poashtu ka një biografi e krijimtari impresive, të ngjashme me të shkrimtarin Luan Starova, por në pikturë.

Në dekadat e para të krijimtarisë së tij vëhet re prirja për krijimtari eseistike, dhe këtu shquhen “Njerë dhe urat”, por prej romaneve “Librat e babait” dhe “Koha e dhive”, që morën shumë çmime në vend dhe depërtoi edhe në botë, ai na shfaqet me gjithë shkëlqimin e një romansieri të veçantë, që do ta dëshmojnë romanet që do të pasojnë, kur çdo roman i ri janë ngritje në shkallë më të larta të trajtimit tematik e artistik.

Ai dallohet si autor i romaneve që vetë autori i ka quajtur “Saga ballkanike”, që sipas

Në kujtim të shkrimtarit të shquar shqiptar Luan Starova (Pogradec, 14 Gusht 1941 – Shkup, 24 Shkurt 2022) – romancierit unik të “Sagës Ballkanike”, që sipas Moris Druonit, paraqesin kontribut të padiskutueshëm për letërsinë dhe mendimin bashkëkohor europian.

Trashëgimia letrare e njerëzore e këtij autori, siç shkruan “Botimet Poeteka” mbart vlera të jashtëzakonshme estetike, historike, kulturore si dhe mesazhe humane të një rëndësie të veçantë. “Falë këtyre cilësive kjo vepër ka meritur vëmendjen e gjerë të kritikës, admirimin e lexuesve si dhe vlerësimin me çmime letrare të mëdha, duke e bërë Luan Starovën njërin prej autorëve shqiptarë më të përkthyer në gjuhë të huaja. Në shenjë nderimi për të vjen kjo poezi e publikuar në vëllimin “Kartagjena nuk mposhtet” (Botimet Poeteka, 2015)

Veprat e Luan Starovës: “Njerëz dhe ura”(1971), “Kutijtë e pranverës” (1971), “Barikadat e kohës” (1976), “Afrime” (1977), “Relacione (1982), “Pranverë kineze”(1984), “Miq” (1986), “Kontinuitete” (1988), “Zog mitik” (1991), “Këngë të Kartagjenës” (1991), “Ura të dashurisë” (1992), “Librat e babait”, “Koha e dhive (1993) “Çelës ballkanik” (1995), “Studime letrare franceze-shekulli 20” (1995), “Muzeu ateist” (1997), “Vend i mbjellë” (1998), “Rruga e njalave” (2000), “Kështjella e njalave” (2002), “Dhia e kurbanit ballkanik” (2003), “Ervehe-libri për një nënë”(2005), “Dashuria e gjeneralit” (2008), “Gjurmëve të Elen Lajbovicit”(2008), “Ambasadat” (2009), “Ambasadat e reja” (2011), “Kufiri” (2014), “Babilonasit e Ballkanit” (2014), “Kthimi i dhive” (2016), “Polifonistët” (2016), “Jeniçerët” (2020)

Biografia:

U lind më 1941 në Pogradec, në një familje me traditë në fushën e së drejtës, i biri i Arifit dhe Ervehesë nga Leskoviku.E ëma e të atit vinte nga një familje turçelie e Përlepit që kishin qenë kadilerë në kohën e Perandorisë Osmane; i ati kreu studimet po për drejtësi në Stamboll dhe punoi si avokat. Më 1943 kur Luani ishte ende foshnjë, familja u shpërngul drejt Strugës, nga krahu tjetër i liqenit; ndërsa pas Luftës së Dytë u shpërngulën përfundimisht në Shkup. I ati punoi si gjykatës dhe më pas kërkues shkencor në Institutin e Historisë Popullore të Shkupit; deri pa dalur në pension u përkujdes për dokumentacionin osman në Arkivin e Shtetit.

Në Shkup, Luani ndoqi shkollën fillore “Goce Delchev” në gjuhën maqedonase, nga ku dhe bëhet dygjuhësh duke patur shqipen gjuhën amë dhe maqedonishten gjuhën e arsimimit. U diplomua më tej në liceun shkencor “Josip Broz Tito” më 1961. Studimet e veta ia përkushtoi gjuhës dhe i letërsisë frënge, me një diplomë të dytë mbi historinë e arteve. U angazhua si gazetar duke u bërë edhe kryeredaktor i gazetës “Mlad Borec”. Pas diplomimit më 1967, u punësua si gazetar te Radio Shkupi dhe më 1968 u bë kryeredaktor i programeve në gjuhën shqipe në televizionin e Shkupit. Po atë vit nis studimet e mëtejshme në teori letërsie, posaçërisht në letërsinë frënge në Universitetin e Zagrebit me temën “Ballkani në prozën e Guillaume Apollinaire-it.” Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Ka ligjëruar edhe në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe ëska qenë anëtari i parë shqiptar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë si dhe i Akademisë Mesdhetare në Napoli.

THANË PËR VEPRËN E LUAN STAROVËS:

— Franca zbuloi me habi dhe emocion shkrimtarin Luan Starova, romancier i përveçëm, i paklasifikueshëm, shumë i përshtatur në botën ballkanike. Nuk ka në asnjë libër të tij njerëz të ligj, personazhe mizorë, të urryer, si në romanet perëndimore. Luan Starova përfaqëson bashkëjetesën dhe hapjen ballkanike, njeriun që gjatë gjithë jetës së tij ka mishëruar vëllazërimin ballkanik përtej çdo mbylljeje etnike në vetvete. – Edgar Morin

— Në romanin e tij Koha e dhive, autori vjen tek lexuesi me një trillim shumë tërheqës, me një ironi gjallëruese. Me këtë roman letërsia e vendit të autorit merr shtetësinë në Europën tonë dhe hedh një dritë zbuluese mbi Ballkanin. – Maurice Druon

— Kjo sagë e Starovës, e cila fillon me librat e babait, tingëllon si një vetëdije për një figurë simbolike, atë të vetë bibliotekës, me librat mbi dhitë, ngjalat, jeniçerët dhe fenomene të tjera. Janë të gjithë këta elementë të kombinuar që e bëjnë krijimin e Starovës një vepër monumentale në një kontekst i cili mbetet i rëndë dhe në orë i cili do të provojë të jetë vendimtar për Ballkanin. – Yves Bonnefois

— Lexova romanin e Luan Starovës Koha e dhive. Ajo që më interesoi në këtë roman është dimensioni magjiko-poetik dhe dimensioni simbolik. Unë e gjej këtë akoma këtë vepër më të mirën që ekziston dhe që tregon shkatërrimin e universit ideologjik – mizor dhe të egër, por pa e thënë drejtpërdrejt. Romani Koha e dhive është shkruar si një litani, në të cilën episodet ngatërrohen. Satira kombinohet me shëmbëlltyrën dhe fabula pranon disa interpretime simbolike. Luan Starova e mban keqdashjen me magji larg. Gogol-i është aty afër. – Alain Bosquet

— Shpesh, kur duam të zbulojmë një autor, nuk e dimë se cilin libër të synojmë. Në rastin e Luan Starovës, Librat e Babait më duket se është hyrja e veprës së tij. Që nga viti 1992, ne shohim një vepër të strukturuar në një mënyrë çuditërisht koherente. E jashtëzakonshme është se të gjitha temat që janë zhvilluar nga autori janë në këtë libër, janë në bibliotekën e babait. Fati i familjes shkruhet në bibliotekë. Mund të thuash që Ati dhe Autori mishërojnë historinë e një shekulli të Ballkanit. – Eric Faye

— Luan Starova kishte gjenialitetin për të zgjedhur syrin e një fëmije dhe është mbuluar nën një naivitetin e tij. Ai na portretizon tablonë e rëndë të kohës dhe arrin, si rezultat, të shmangë dy kurthe: të jetojë nëpër faqe me një frymë kritike sistematike dhe të hidhur, nga njëra anë, ose duke rënë në kurthin e një rindërtimi të ri shkencor-politik që mund të lodhë lexuesin, nga ana tjetër. – Patrick Chrismant

— Mërgimi i ngjalave përfaqëson në letërsinë bashkëkohore europiane një nga kontributet më cilësore për studimin e mitit të kufijve të Ballkanit dhe absurditetin e ekzistencës së tyre. – Predrag Matvejević

— Poezia e Luan Starovës trishtohet, por nuk vajton. Dhe po qe se ndonjëherë i ndodh kjo punë, në një çast pakujdesie, do të gjejmë në indin e saj dorën e një gëzimi të fshehtë e cila sakaq do t’i fshinte lotët. Ngase çdo poemë duket si një feniks që i mbledh shkëndijat e zjarrit, futet ndërmjet tyre, shkëlqen dhe ngrihet e rilindur si një flakë e re në natën e tokës. – Adonis

Related posts

Transportuesit privat vazhdojnë me bllokadat, ftojnë qytetarët t’i vizitojnë autobusët e tyre

Gazetamax.mk

Edhe sot pati 9 alarme për bomba në shkolla, të gjitha ishin të rrejshme

Gazetamax.mk

Lista europiane/ Maqedonia e Veriut e 42 nga shkalla e vdekshmërisë, Serbia e para e ndiqet nga Rumania, Bullgaria…

Gazetamax.mk