GazetaMax
Lajme

Osmani: OSBE dhe NATO duhet ta luajnë rolin e vet në mbështetje të Ukrainës

Shkup, 31 janar – Kryesuesi me OSBE-në dhe ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot në Bruksel pati fjalim para Këshillit veriatlantik të NATO-s, ku e prezantoi Programin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese me OSBE-në në vitin 2023.

Siç informoi MPJ, para Këshillit të kryesuar nga zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Xhoana, Osmani theksoi rëndësinë e rolit të NATO-s dhe OSBE-së në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe prezantoi vizionin e Maqedonisë së Veriut si kryesuese e OSBE-së. Ai theksoi se fokusi i presidencës do të jetë te njerëzit, ashtu si dhe te vlerat dhe parimet e OSBE-së që u shkelën nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

“Agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës ka tronditur shtyllat e sigurisë sonë””, theksoi Osmani, duke shtuar se Ukraina do të mbetet prioritet kryesor dhe çështje kyçe e sigurisë.

“Prioriteti ynë në të tre aspektet do të jetë të ofrojmë mbështetje thelbësore për Ukrainën dhe popullin e saj,” tha ai.

Kryesuesi i OSBE-së, Osmani para të pranishmëve theksoi se agresioni ndaj Ukrainës duhet të ndalet, si dhe se vdekja e civilëve dhe shkatërrimet janë të papranueshme ashtu siç është e papranueshme edhe kostoja e kësaj lufte për mbarë Evropën dhe gjithë rajonin e OSBE-së.

“Vuajtja e civilëve është arsyeja e përqendrimit tonë të fortë tek njerëzit që janë të parët që goditen nga ky agresion. Ata që janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj luftës dhe konfliktit kanë frikë për jetën e tyre, ndërsa ata që janë më larg ndjejnë pasiguri dhe ankth. Mënyra e tyre e jetesës është vënë në pikëpyetje dhe përditshmëria u është prishur. Angazhimi ynë është para së gjithash për njerëzit. Kjo është motoja jonë dhe forca lëvizëse për vitin në vazhdim”, tha Osmani.

Në fjalën e tij, Osmani përmendi rolin e dy organizatave në promovimin e kontrollit të armëve dhe ndërtimit të besimit dhe masave të sigurisë.

“Të dyja organizatat duhet të luajnë rolin e tyre kur bëhet fjalë për mbështetjen e Ukrainës, por edhe vendeve të tjera pjesëmarrëse ose partnerëve. Ata i kanë mjetet dhe mekanizmat e nevojshëm për të kontribuar për siguri dhe stabilitet më të madh”, theksoi Osmani.

Para Këshillit të Atlantikut të Veriut të NATO-s, Osmani përmendi edhe situata të tjera krize në rajonin e OSBE-së, duke theksuar se Azia Qendrore dhe rajoni i Evropës Juglindore do të mbeten poashtu në fokus. Ai paralajmëroi forcimin e misioneve të OSBE-së në terren dhe mbështetje për praninë e përgjithshme në terren.

Në krye të listës së prioriteteve të Maqedonisë së Veriut si kryesues me OSBE-në, Osmani ka vënë në dukje luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë, duke thënë se paraqet një “sëmundje” të përbashkët, që kërcënon zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik.

Ai njoftoi se Organizata do t’i përkushtohet mbështetjes së të drejtave themelore të njeriut dhe promovimit të tolerancës dhe mosdiskriminimit, si parakushte për sigurinë e përgjithshme.

Kryesuesi i OSBE-së Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe NATO-s.

“Më vjen shumë mirë që Koncepti Strategjik i miratuar vitin e kaluar në Madrid, i cili tregon qartë se NATO-ja synon të forcojë ‘koordinimin dhe bashkëpunimin’ tonë të përbashkët. Si Kryesues i OSBE-së, jam i bindur se të gjithë mund të përfitojmë nga ky bashkëpunim, sepse po punojmë që të kontribuojmë në proceset e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë dhe në botë”, tha Osmani.

Ndërkaq, para fjalimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut të NATO-s, Osmani pati takim me Zv/Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mirçea Xhoana, ku pati rastin të vlerësojë përfshirjen e tij si Kryesues i OSBE-së në vitin 2001, kur përpjekjet e tij çuan në një stabilitet më të madh të vendit dhe rajonit tonë.

Në një deklaratë të përbashkët, Osmani ritheksoi se pavarësisht natyrës dhe qëllimit të ndryshëm, NATO dhe OSBE kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë evropiane.

“Të dyja organizatat bazohen në parime dhe vlera, të cilat në rastin e OSBE-së, janë shkelur rëndë nga agresioni ushtarak. Besoj se ka hapësirë ​​për bashkëpunim dhe duhet t’i shterojmë të gjitha mundësitë për të kontribuar për siguri më të madhe në rajonin e Evropës, por edhe më gjerë”, tha Osmani.

Related posts

145 vjetori i Lidhjes se Prizrenit bashkoi gjitha forumet rinore politke mbar shqiptare

Gazetamax.mk

Edon Idrizi zgjidhet kryetar i Forumit rinor të BDI për nëndegën Poroj kurse Flamur Feriki në Gajre

Gazetamax.mk

LAJMI I FUNDIT: Arrihet armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës në këtë rajon

Gazetamax.mk