Ostlund krenar me paraqitjen e Kosovës në Ishujt Faroe

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, ka vlerësuar paraqitjen e së mërkurës me Ishujt Faroe.

Në Torshavn, në atmosferë të bukur sportive, Kombëtarja jonë pësoi me rezultatin 37:30. Ostlund ka thënë se Kosova ka kohë që nuk ka luajtur më mirë si mysafire.

“Një paraqitje e mirë në një ndeshje të vështirë në udhëtim. Ishujt Faroe kanë Kombëtare të shkëlqyer, me lojtarë në nivelin më të lartë të mundshëm.

Ne gjithnjë duam më shumë, por duhet të jemi edhe të arsyeshëm. Sipas mendimit tim, është loja jonë më e mirë në udhëtim për shumë vjet. Jam krenar me atë që kemi shfaqur sonte”, ka thënë Ostlund.

Kombëtarja të enjten kthehet nga Ishujt Faroe dhe menjëherë fillon përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Hungarinë në Ferizaj.

“Tani duhet të rikuperohemi dhe të jemi gati për ndeshjen me Hungarinë në Ferizaj, të dielën. Pres atmosferë të shkëlqyer dhe sallë të mbushur me shikues”, ka thënë selektori Ostlund.

Burimi: botasot.info