Tensionet mes Afganistanit dhe Pakistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga Islamabadi në provincën lindore afgane të Nangarhar.
Qeveria talebane në Kabul deklaroi se në sulmin e fundit janë vrarë dhjetëra persona, përfshirë gra dhe fëmijë.
Ministria afgane e Mbrojtjes e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si shkelje të sovranitetit kombëtar dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe paralajmëroi një kundërpërgjigje të fortë.
Nga ana tjetër, Pakistani konfirmoi se sulmet kishin në shënjestër objektiva militante përgjatë kufirit. Sipas autoriteteve, u goditën shtatë kampe të militantëve. Ata thanë se kishin prova se sulmet vetëvrasëse në territorin e tyre, përfshirë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, ishin organizuar nga militantë që vepronin nga territori afgan. Kabuli i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.
Në muajt e fundit, mbyllja e pikave kufitare dhe përplasjet e armatosura kanë shkaktuar viktima dhe kanë ndërprerë marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.
