GazetaMax
Lajme

Paqartësi për dhënien e shtetësisë për Onyshenko, Selmani: Qeveria duhet të veprojë shpejtë

Shkup, 14 Nëntor – Katër institucionet që kanë dhënë mendim pozitiv për pajisjen me shtetësi të Maqedonisë së Veriut, për oligarkun ukrainas, Oleksandr Onyshenko, nuk japin asnjë sqarim për opinionin se mbi çfarë baze e kanë bërë një gjë të tillë. Këto institucione i kishin rekomanduar Qeverisë pajisjen e Onyshenkos me pasaportë maqedonase.

Oligarku ukrainas, sipas Rrjetit ballkanik për gazetari hulumtuese, BIRN dhe deputetit të VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, ka një dosje me precedent të rëndë penal.

Oleksandr Onyshenko është arratisur nga drejtësia në Ukrainë pas akuzave për shpëlarje parash dhe pasurim nga biznesi i gazit, por ai është sanksionuar edhe nga SHBA-ja, më 31 maj të vitit 2021, si pjesë e një rrjeti rus që kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Oligarku ukrainas, po ashtu, ka edhe shtetësi ruse.

Ai është pajisur me shtetësinë maqedonase pas vendimit të Qeverisë, më 31 maj, bazuar në rekomandimet për “dosje të pastër” që janë përgatitur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), Agjencia për Rini dhe Sport, Federata e Sporteve me Kuaj dhe Komiteti Olimpik Maqedonas.

Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Viktor Dimovski, është ftuar të mërkurën në seancën e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e punës së Agjencisë për të raportuar lidhur me atë se mbi çfarë baze ka dhënë mendim pozitiv për Onyshenkon.

Kryetari i Komisionit, deputeti Lupço Prenxhov, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se do të kërkojë nga Dimovski të sqarojë se si është e mundur që “çdo kriminel i dytë në botën të ketë pasaportë dhe shtetësi maqedonase”.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha të dielën se Qeveria maqedonase do të kërkojë nga institucionet nëse kanë informacione shtesë që duhet të merren parasysh në këtë rast.

“Bëhet fjalë për sportist dhe ishin marrë të gjitha mendimet pozitive nga institucionet relevante, ashtu siç parasheh procedura dhe në bazë të këtyre mendimeve pozitive, Qeveria mori vendimin për t’i dhënë shtetësinë. Por, tani normalisht se ne, si Qeveri, do të kërkojmë hetime shtesë që të shohim nëse ka dhe informacione tjera që duhet të merren në konsideratë”, deklaroi Kovaçevski.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, tha për Radion Evropa e Lirë se faji në këtë rast qëndron mbi institucionet që kanë dhënë mendimin pozitiv, në veçanti mbi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

“Institucionet, bazuar në legjislacionin vendor, kanë të drejtë të propozojnë dhënien e shtetësisë ndonjë shtetasi të huaj, në rast se paraqet interes për shtetin për të arriturat në sfera të ndryshme, por biografia e tij duhet të hetohet me kujdes. Kjo, në veçanti, vlen për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare si institucioni më përgjegjës për sigurinë në vend. Institucionet tjera mund të japin propozime pozitive, por filtri i fundit i takon Agjencisë në fjalë”, thotë Selmani.

Sipas tij, ky rast rrënon imazhin e Maqedonisë së Veriut në kohën kur perëndimi po bën përpjekje për luftimin e ndikimeve ruse në rajon.

“Dhënia e shtetësisë oligarkut rus, pa një hulumtim paraprak mbi të kaluarën e tij hedh dyshime apo konfirmon dyshimet se brenda institucioneve të Maqedonisë së Veriut mund të ketë elemente pro-ruse”, thotë profesori Selmani, sipas të cilit, Qeveria duhet të veprojë më shpejt në verifikimin e pretendimeve dhe marrjen e një vendimi të ri.

Related posts

Kuvendi do ta mbajë seancën e 66-të

Gazetamax.mk

Linde: Mirënjohje ndaj Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e anëtarësimit të Suedisë në NATO

Gazetamax.mk

Zjarri kaplon depon e “Benfikos” në lagjen Gazibabë të Shkupit

Gazetamax.mk