GazetaMax
Lajme

Partia më e vogël por sherrin e madh, Levica harxhon shuma të majme për sponzorizim

Më 19 tetor u mbajtën zgjedhjet lokale në dy vende të vogla evropiane. Në të dy vendet fushatat u zhvilluan sipas një rendi të caktuar, me ndryshimin se në Maqedoni paratë për sponsorizimin e postimeve në rrjetet sociale u shpenzuan pa problem, ndërsa në Estoni kjo ishte e ndaluar, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Estonia është një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe rreth dhjetë ditë para zgjedhjeve dy rrjetet më me ndikim, Facebook dhe Instagram, e ndaluan publikimin e postimeve të sponsorizuara nga politikanët e atjeshëm. Kjo ndodhi sepse BE-ja prezantoi rregullore rigoroze për reklamat politike në rrjetet sociale me qëllim që ta parandalojë manipulimin dhe ndikimin e fshehtë tek votuesit nëpërmjet reklamave, burimi, financimi dhe audienca e synuar e të cilave nuk dihen publikisht.

Rrjetet sociale nuk arritën t’i përmbushin kërkesat evropiane për transparencë, kështu që vendosën t’i ndërpresin reklamat politike në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Paratë si motori kryesor i fushatave
Maqedonia nuk është pjesë e BE-së, kështu që politikanët nuk e kanë këtë problem sepse këto standarde evropiane për ta nuk janë obligative. Përkundrazi, çdo gjë shkon në ekstremin tjetër, kështu që gjatë një fushate zgjedhore në rrjetet sociale praktikisht lejohet gjithçka sepse ato nuk janë të rregulluara, as ndonjë institucion shtetëror nuk monitoron se çfarë ndodh në to, kush dhe çfarë publikon, ose sa dhe ku shpenzohen paratë për reklama politike.

Çdo gjë tjetër që ka të bëjë me fushatën zgjedhore është rregulluar deri në detaje në Kodin Zgjedhor, me një fokus të veçantë në reklamat në media sepse këto para ndahen nga buxheti i shtetit, nga të cilat për zgjedhjet lokale për këtë qëllim u parapanë mbi 6 milionë euro.

Nga ana tjetër, përllogaritjet e BIRN tregojnë se partitë, anëtarët e tyre, ministrat, iniciativat e pavarura, madje edhe vetë kandidatët për kryetar të komunave dhe për këshilltarë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale kanë transmetuar me mijëra reklama në rrjetet sociale.

Brenda një muaji para raundit të parë të zgjedhjeve vetëm në Instagram dhe Facebook ata kanë shpenzuar rreth 200 mijë euro, tregojnë të dhënat për reklamat politike të publikuara nga kompania META, e cila është pronare e dy rrjeteve sociale më të përdorura në vend.

Këto arkiva tregojnë se janë sponsorizuar reklama zgjedhore si për promovim ashtu edhe për t’i denigruar kundërshtarët, ashtu siç tregojnë edhe se fushata në rrjetet sociale filloi që para fillimit zyrtar dhe vazhdoi edhe gjatë heshtjes parazgjedhore.

Sipas të dhënave të META-s reklama janë publikuar nga profilet e rreth tridhjetë politikanëve të shtunën para raundit të parë të votimit. Njëri prej tyre atë ditë ka shpenzuar mbi 500 euro për 20 reklama duke u munduar kështu që t’i bëjë për vete votuesit një ditë para zgjedhjeve.

Nëse kjo ndodh në një media shteti e gjobit median për transmetimin e reklamave gjatë heshtjes zgjedhore. Por meqenëse për Facebook-un nuk ka rregullore, nuk ka as sanksione, nuk ka as kërkesa drejtuar rrjetit për transparencë më të madhe të reklamave zgjedhore.

Përndryshe në Facebook mund të nxirren të dhëna për atë se sa para ka shpenzuar secili profil individualisht në një periudhë të caktuar, por jo sa para, për shembull, janë shpenzuar nga një llogari konkrete ose nga një parti konkrete.