GazetaMax
LAJME

Pas vitit të ri paralajmërohen bisedime më intenzive për ndryshimt kushtetuese

Shkup, 27 dhjetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski konsideron se proceset të cilat janë me rëndësi strategjike për shtetin, si ndryshimet kushtetuese, nuk mund të jenë mjet i kushtëzimeve, por ato janë çështje e parimeve – nëse dikush e mbështet ose nuk e mbështet rrugën evropiane. Shefi i diplomacisë Bujar Osmani, paralajmëroi se nga java e ardhshme do të intensifikohen bisedimet për sigurimin e shumicës prej dy të tretave në Kuvend, për fillimin e procesit për ndryshim të Kushtetutës.

Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se çështja e ndryshimeve kushtetuese është serioze, çështje shtetërore dhe në kushte kur vendi i filloi bisedimet me BE-në, përmes procesit të skriningut, tani gjithçka varet nga ne rreth lëvizjes së mëtutjeshme në rrugën evropiane.

“Kushtëzimet për pyetje të këtillë janë vërtet të papranueshme. Në vend të kësaj, unë bëj thirrje, kam thirrur dhe do të bëj thirrje për një konsensus të gjerë shoqëror dhe politik për rrugën evropiane të shtetit”, theksoi Kovaçevski, në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve rreth paralajmërimit të liderit të Besës, Bilall Kasami se partia do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, nëse pushteti pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pranverën e ardhshme.

Duke e komentuar kërkesën e tillë kryeministri Kovaçevski theksoi se nuk funksionon nën presion dhe shantazh, duke theksuar se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2024 dhe kjo tashmë është një përfundim i paramenduar.

“Nuk është korrekte për qytetarët që çështjet e tilla të rëndësishme të jenë mjet i politikës ditore, të jenë mjet i luftës për disa pikë politike”, theksoi Kovaçevski.

Ai theksoi ndryshimet kushtetuese nuk do të jenë vendimi i fundit deri në anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke shtuar se gjatë rrugës do të ketë vendime më të vështira, i cili sqaroi se është një proces i pakthyeshëm dhe vetëm mund të bllokohet nga ata që kundërshtojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kryeministri theksoi se nuk ka kushtëzime për procese të tilla, duke theksuar se çdo gjë tjetër mund të jetë temë e një lufte politike, një garë politike, gjithçka mund të jetë temë e politikës ditore, megjithatë çështje të këtilla kyçe duhet të jenë temë e politikës ditore, të jenë objekt i luftimit për disa pika të vogla nuk është e drejtë përballë qytetarëve.

Në një reagim për deklaratën e kryeministrit Kovaçevski, lideri i Besës, Kasami deklaroi se kërkesa për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është “kërkesë e shumicës së qytetarëve, sepse kjo Qeveri nuk del nga legjitimiteti i marrë nga zgjedhjet e fundit parlamentare”.

“Prandaj kryeministri nuk duhet të përziejë teza për ndryshime kushtetuese dhe zgjedhje të parakohshme”,reagoi Kasami duke shtuar se kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese Besa edhe një herë e konfirmon qëndrimin e saj se kërkon nga Kushtetuta të hiqet termi “20 për qind” dhe të zëvendësohet me termin “gjuha shqipe”.

Pavarësisht qëndrimit të fundit të Besës, ministri i Punëve të Jashtme, Osmani dje shprehu besimin se vitin e ardhshëm do të miratohen ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se nuk ka asgjë të diskutueshme që bullgarët, malazezët dhe kroatët të përfshihen në Kushtetutë, duke vlerësuar se “vërejtjet e subjekteve të caktuara politike janë koreografi të përditshme politike në përpjekje për të fituar plus një pikë politike”. Osmani bëri të ditur se javën e ardhshme do të intensifikohen bisedimet për të siguruar shumicë prej dy të tretash, e cila është e nevojshme për të votuar nevojën për hapjen e Kushtetutës.

Ai theksoi se është tejet e pandershme që një nga çështjet kryesore për qytetarët – anëtarësimi në BE, të vendoset në zënkat ditore-politike dhe shtoi se vlerëson se gjatë vitit të ardhshëm këtë do ta shohin të gjitha partitë politike.

Ai përmendi se asnjë parti politike nuk është në linjë me qëndrimin se nuk duhet të respektohen të drejtat e pakicave etnike, duke theksuar se edhe dje lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka dalë me qëndrim se nuk ka “asgjë kundër popullit bullgar, por kundër kushtëzimeve bullgare”.

Osmani theksoi se pret përkrahje, pasi, siç potencoi, askush nuk ka asgjë kundër përmbajtjes së ndryshimeve, por shtoi edhe se të gjithë janë të vetëdijshëm se ky proces është tanimë i instaluar në procesin e negociatave me BE-në dhe nuk ka alternativë tjetër.

Related posts

Mariçiq nga Praga: Sot jemi një shtet i respektuar me aleatë gjithandej në botë

e-max

Dijana Toska: Armiku po na përçanë, mos u bëni mashë e dashakeqësve

e-max

Ulje drastike e filloristëve në Dibër

e-max