Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, ka kritikuar ashpër përbërjen e parlamentit dhe mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar një sistem që favorizon individët pa mendim kritik.
I ftuar në emisionin “Black Box” në Ora News, Alizoti u shpreh se për të mbajtur një parti nën kontroll dhe për të qëndruar gjatë në pushtet, kërkohen gjithnjë e më shumë individë që nuk kundërshtojnë. Sipas tij, mendjet e zgjuara dhe kritike bëhen të bezdisshme për lidershipin.
Ai e cilësoi këtë proces si një normalitet që është krijuar gradualisht dhe që, sipas tij, ka çuar në shkatërrimin e parlamentit.
Alizoti solli në vëmendje edhe një studim të Universitetit të Würzburg-ut për demokracinë në botë, sipas të cilit Shqipëria renditej në vendin e 81-të, duke theksuar se vendi ishte pozicionuar mbi Sierra Leonen dhe disa vende afrikane.
“Për të zotëruar gjatë duhen më shumë idiotë. Për të mbajtur një parti nën kontroll duhen më shumë idiotë. Pra, mendjet e zgjuara që janë mendje kritike të bezdisin dhe kjo vjen ngadalë-ngadalë, kthehet në një normalitet i cili e ka shkatërruar parlamentin”, u shpreh Alizoti.
Burimi:botasot.info
