GazetaMax
Lajme

Përfundon skriningu shpjegues me BE-në për klasterin “Themelet”

Bruksel, 27 shtator – Në Bruksel sot do të mbahet mbledhje për Kapitullin e 23-të “Gjyqësia dhe të drejtat fundamentale”, me të cilin përfundojnë mbledhjet e skriningut shpjegues për Klasterin 1, “Themelet”.

Dje u mbajt mbledhja e skriningut shpjegues për një tjetër fushë që po futet për herë të parë në negociatat e anëtarësimit – “Funksionimi i institucioneve demokratike”, në kuadër të klasterit “Themelet”, që është një vlerë bazë mbi të cilën funksionon Bashkimi Evropian.

“Proceset reformuese nuk kanë të bëjnë vetëm me vendosjen e legjislacionit të ri, por edhe me ndryshimin e mentalitetit dhe stilit të qeverisjes. Ne e dimë dhe kemi përvojë se sa i rëndësishëm është sundimi i ligjit, si dhe të kemi institucione të pavarura dhe efikase që garantojnë të njëjtën gjë”, tha dje Mariçiq.

Skriningu për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së ka nisur zyrtarisht më 15 shtator, dhe sipas pritshmërive të zëvendëskryeministrit Bojan Mariçiq do të zgjasë deri në nëntor të vitit 2023.

Nga data 15-27 shtator të vitit 2022 janë mbajtur takime për fushat dhe kapitujt e Klasterit të Vlerave Fundamentale, kur Komisioni ka prezantuar legjislacionin e ri për këto fusha. Të gjitha takimet u mbajtën në Bruksel, me përjashtim të Kapitullit 18 Statistikat në Luksemburg.

Në periudhën nga 11 nëntori deri më 9 dhjetor do të vijojë skriningu dypalësh ku do të prezantojmë shkallën e haronizimit me të drejtën e BE-së, strukturën institucionale për zbatimin e ligjeve të harmonizuara dhe planet për harmonizimin e mëtejshëm, ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe të ligjeve administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT-së për zbatimin e standardeve evropiane.

Komisioni Evropian pastaj përgatit një raport nga shqyrtimi i cili, ndër të tjera, përmban gjetjet dhe vlerësimin e Komisionit për shkallën e harmonizimit, kapacitetet, konkluzionet dhe rekomandimet, njoftojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.

Në vetë fillimin e procesit të skriningut, zëvendëskryeministri Mariçiq deklaroi për MIA-n se sipas disa vlerësimeve deri më tani kemi respektuar legjislacionin e BE-së për rreth 40 për qind, që do të thotë pothuajse gjysmën, dhe kjo do të thotë, thekson ai, se i kemi shfrytëzuar mirë këto 17 vite pritje për të nisur negociatat dhe në disa fusha jemi në të njëjtin nivel ose në një nivel më të mirë se vendet që negociojnë prej vitesh si Serbia dhe Mali i Zi. “Praktikisht, skriningu është ajo fazë e diagnozës se ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë”, tha Mariçiq.

Lidhur me atë nëse priten vështirësi në disa fusha në harmonizimin e legjislacionit dhe ku kemi dobësi, Mariçiq tha se shumë punë na pret në klasterin e dytë – tregun e brendshëm, por edhe në të parin, që është më i rëndësishmi dhe ato janë vlerat themelore .

Related posts

Edhe një ekspert i bashkohet radhëve të Aleancës për Shqiptarët

Gazetamax.mk

Sot protesta e opozitës në Tiranë dhe vendimi i gjykatës për drejtimin e PD-së! Çfarë pritet të ndodhë

Gazetamax.mk

PLD: Nuk është koha për zgjedhje të parakohshme, të zhbllokohet puna e Kuvendit

Gazetamax.mk