Shëndeti i syve është një nga aspektet më të rëndësishme të mirëqenies, ndërsa sëmundjet e retinës dhe trupit qelqor kërkojnë diagnostikim të hershëm dhe trajtim të specializuar.
Për këto tema ka folur Muhamet Zekolli, kirurg vitreoretinal, në episodin e 86-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit “Kubati” dhe United Hospital.
Në këtë episod, Zekolli foli për rolin e retinës, sëmundjet që mund ta dëmtojnë shikimin, retinopatinë diabetike, shkëputjen e retinës, rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe trajtimet moderne që mund të parandalojnë humbjen e shikimit.
– YouTube www.youtube.com
Duke shpjeguar rëndësinë e retinës, Zekolli tha se ajo është pjesa e pasme dhe e brendshme e syrit dhe, sipas tij, mund të konsiderohet pjesa më e rëndësishme e tij.
“Retina është pjesa e pasme dhe e brendshme e syrit. Sa i përket rëndësisë, mund të them se është pjesa më e rëndësishme e syrit”, u shpreh ai.
Ai shpjegoi se drita kalon nëpër strukturat e syrit dhe bie në retinë, ku shndërrohet në impuls nervor. Ky impuls më pas dërgohet përmes nervit optik në tru, ku kthehet në imazh.
“Retina është ajo që e përgatit dhe e dërgon sinjalin tek truri për t’u shndërruar në një imazh”, tha Zekolli.
Sipas tij, retina ka qeliza të ndryshme, ndërsa dy nga më kryesoret janë qelizat kone dhe qelizat shkop. Qelizat kone janë përgjegjëse për shikimin e detajuar, ndërsa qelizat shkop ndihmojnë më shumë në shikimin natën dhe orientimin periferik.
Një nga mesazhet më të rëndësishme të këtij episodi ishte se qelizat e retinës nuk rigjenerohen.
Për këtë arsye, Zekolli theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të patologjive të retinës.
Zekolli tregoi se shumë sëmundje sistemike mund të ndikojnë në sy, përfshirë sëmundjet neurologjike, kardiovaskulare, endokrine, infektive dhe autoimune. Një nga sëmundjet më të rëndësishme në këtë drejtim është diabeti.
