GazetaMax
Lajme

Pilotit i ra të fikët, aeroplani Gjermani – Spanjë mbeti dhjetë minuta pa drejtues

Një aeroplan me 205 persona në të i kompanisë ajrore “Lufthansa” kishte mbetur pa pilot për dhjetë minuta vitin e kaluar, pasi një piloti i kishte rënë të fikët gjatë kohës kur ishte i vetëm në kabinë, sipas një raporti të ri të lëshuar nga autoriteti spanjoll për hetimin e aksidenteve.

Kapiteni kishte dalë për pak kohë nga kabina për ta përdorur tualetin, kur pilotit tjetër i kishte rënë të fikët nga Frankfurti për në Sevijë të Spanjës, më 17 shkurt 2024, thuhet në raportin e agjencisë CIAIAC, raporton televizioni CNN.

Gjithsej 199 pasagjerë e gjashtë anëtarë ekuipazhi ndodheshin në aeroplanin e tipit “Airbus A321” në atë kohë, thuhet më tej në raport.

Aeroplani e kishte vazhduar fluturimin në mënyrë stabile, pasi sistemi i autopilotit ishte aktiv. Megjithatë, piloti kishte operuar në qendrën e kontrollit pa qëllim, thuhet në raport. Më tej, në raport thuhet se zërat që përputhen me “paaftësinë e papritur dhe të ashpër” të pilotit ishin regjistruar në regjistruesin e zërit gjatë asaj kohe.

Një kontrollor i trafikut ajror u përpoq të kontaktonte tri herë me pilotin, por nuk kishte përgjigje.

Në raport thuhet se kapiteni u kthye nga tualeti dhe u mundua që ta hapte derën e kabinës me kodin e rregullt të hapjes, i cili lëshon tingull brenda. Kapiteni bëri pesë përpjekje në këtë mënyrë dhe një anëtar i ekuipazhit gjithashtu realizoi një thirrje brenda kabinës. Pasi nuk morën përgjigje, kapiteni përdori një kod urgjent për të siguruar qasje në kabinë dhe e mori nën kontroll drejtimin e aeroplanit.

Kompania “Lufthansa” i tha agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, se ishte e vetëdijshme për raportin hetues dhe se edhe departamenti i saj për sigurinë e fluturimeve kishte kryer një hetim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”. Kompania nuk i zbuloi rezultatet e hetimit të vet, raportoi agjencia DPA.

Related posts

Roth: BE-ja t’i mbajë premtimet, t’i liberalizojë vizat për kosovarët

Gazeta Max

Gjorgievska: Të krijojmë mekanizma efikase juridike për mbrojtje dhe sanskionim të dhunës në internet

Gazeta Max

Gashi: Koalicioni VLEN nuk dirigjohet nga askush, e kemi dijen dhe guximin për ta sjellë ndryshimin

Gazeta Max