Rritja e numrit të të moshuarve në Shqipëri dhe ritmet e larta të jetës moderne po shoqërohen me një shtim të ndjeshëm të rasteve me demencë, një sëmundje që prek funksionimin e trurit, kujtesën, sjelljen dhe aftësinë për të kryer veprimet e përditshme.
Sipas ekspertëve, demenca nuk lidhet vetëm me faktorët gjenetikë, pasi vetëm rreth 10% e rasteve janë të trashëguara. Pjesa më e madhe vjen si pasojë e plakjes së popullsisë dhe stilit stresues të jetesës.
Prof. Altin Kuqo, shef i Shërbimit të Neurologjisë në QSUT, deklaron: “Shtimi i personave me demencë lidhet drejtpërdrejt me plakjen e popullatës. Sa më shumë rritet jetëgjatësia, aq më shumë rritet numri i pacientëve.”
Ai tregon se sëmundja nuk prek vetëm të moshuarit. Ka raste të diagnostikuara edhe në moshë të re, çka e bën situatën edhe më shqetësuese: “5-10% e rasteve prekin moshat nën 60 vjeç, ndërsa 30-40% mbi 70 vjeç. Mosha më e re që kam diagnostikuar ka qenë 40 vjeç,” tha Kuqo.
Një pjesë e njerëzve shpesh shqetësohen nga momente të shkurtra harrese, por mjekët sqarojnë se ato nuk duhet të ngatërrohen me demencën: “Episodet e harresës së shkurtër lidhen më shumë me lodhjen dhe mbingarkesën e trurit. Janë probleme të përqendrimit, jo domosdoshmërisht demencë,” sqaroi neurologu.
Demenca mbetet një sfidë e madhe shëndetësore, pasi shndërron një individ jo vetëm të paaftë për punë, por edhe të varur nga të tjerët për jetën e përditshme.

