Wednesday, May 20, 2026

Lajmi në kohë reale

Plas debati për largimin e ambasadorit shqiptar Denion Meidani, MPJ: Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi

Pas protestave të mbajtura në Shkup, ku mijëra të rinj shqiptarë nga të gjitha trevat u mblodhën pikërisht në kryeqytetin maqedonas për të protestuar dhe për të kërkuar ruajtjen e gjuhës shqipe, lajme të ndryshme kanë qarkulluar sa i përket shkarkimit të mundshëm të ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.

Lidhur me këto raportime, një reagim ka ardhur së fundmi edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila ka sqaruar se çdo lëvizje diplomatike realizohet në bazë të procedurave institucionale dhe jo për shkak të zhvillimeve politike apo debateve publike.

Përmes një deklarate Ministria e Jashtme thekson se çdo vendimmarrje për emërimet apo lëvizjet diplomatike bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, rregullat e brendshme dhe praktikat diplomatike të konsoliduara.

“Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.

Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ndërkohë që sipas lajmeve që qarkulluan një ditë më parë, u pretendua se vendimi për shkarkimin e tij lidhet me pakënaqësitë e shprehura nga faktorë politikë të koalicionit shqiptar VLEN dhe nga VMRO-DPMNE, të cilët kanë kundërshtuar qëndrimet publike të Meidanit në debatet politike që kanë përfshirë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Një nga çështjet që ka shkaktuar më shumë reagime ka qenë debati për përdorimin e gjuhës shqipe, ku diplomati shqiptar është perceptuar si mbështetës i kërkesave dhe shqetësimeve të studentëve dhe komunitetit shqiptar në vend.

Reagimi i plotë:

Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike.

Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore.

Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla.

Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme.

Latest Posts

Mos e humb lajmin