GazetaMax
Lajme

Politikanët shqiptarë me komplekse, takohen vetëm ku janë prezent edhe politikanët maqedonas!

Shkup, 7 nëntor – Takimet e politikanëve shqiptarë në tryezat që thirren nga politikanët maqedonas janë kryesisht pa hezitim, madje mezi presin për takime të tilla. Ndërkaq, kur njëri prej politikanëve shqiptarë bënë ftesë për takim të liderëve politik shqiptarë ka refuzime e arsyetime për mos pjesëmarrje. Rast i ngjashëm është edhe tani në këtë situatë, kur lideri i Lëvizjes Besa thirri për një takim të përbashkët mes politikanëve shqiptarë që në mënyrë të unifikuar të vendosin kushtëzim që të votojnë për ndryshimet kushtetuese vetëm në rast se hiqet edhe 20 për qindëshi për gjuhën shqipe. Por, nga ASH thanë që nuk do të marrin pjesë pasi do të akuzohen për platformën 2 të Tiranës, ndërkaq nga BDI thanë që është i panevojshëm një takim i tillë, gjërat do të diskutohen në takim që është i thirrur nga kreu Qeverisë, Kovaçevski, nga Alternativa kanë refuzuar pa u menduar dy herë, shkruan Zhurnal.

Kryeministri Dimitar Kovaçeski sot do të takojë liderët e partive politike parlamentare, në orën 12:00 në ambientet e Kuvendit. Takimi i thirrur nga kryeministri Kovaçevski, ka për qëllim diskutimin për ardhmërinë evropiane të vendit, por edhe për vendimet që në periudhën e ardhshme duhet të merren në Kuvend me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror. Por, kësaj ftese të kryeministrit e cila u bë pesë ditë më parë, ju kanë përgjigjur jo të gjithë pozitivisht, e Majta ka refuzuar pjesëmarrjen. Mbase, politikanët shqiptarë me turr vrapojnë të ulen në tryezat që thirren nga partitë politike maqedonase, por që hezitojnë dhe justifikohen për mos koordinimin e partive politike shqiptare.

Kush do të merr pjesë sot në takim?

Nga partitë që janë në pushtet e partnerë të koalicionin me LSDMN-në , si BDI, Alternativa dhe PDSH, me automatizëm janë pjesëmarrëse në gjitha takimet e thirrura nga kreu i qeverisë, sepse në të kundërtën nuk përputhen politikat e tyre dhe nuk ka kuptim qeverisja bashkërisht.

Ndërkaq, nga partitë politike maqedonase kanë mendime të ndara, VMRO-DPMNE ka qenë me hamendje dhe ka zgjatur procesin e konfirmimit të pjesëmarrjes ose jo në këtë takim, mirëpo së fundmi kreu i kësaj partie, Hristijan Mickovski, ka konfirmuar pjesëmarrjen duke thënë që do të merr pjesë në takim për të diskutuar për krizën ekonomike dhe atë energjetike, por për çështjet tjera sipas tij dihen qëndrimet e partisë së tij.

Aleanca për Shqiptarët ka vendosur që të merr pjesë në takimin e liderëve të partive parlamentare që do të mbahet sot në Kuvend, ndërkaq nga Lëvizja Besa nuk ka pasur ndonjë konfirmim të qartë për sa i përket pjesëmarrjes së tyre, por burime të sigurta të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal mësojnë që kreu i Lëvizjes Besa nuk do të merr pjesë në këtë takim, mes tjerash këto të fundit kanë paralajmëruar edhe një konferencë për shtyp përmes të cilës do të shpalosin qëndrimet e kësaj partie për sa i përket aktualitetit politik.

Nga partia e Majta e cila është ndër partitë e vogla në vend kanë dalë me qëndrimet të mëdha duke u vet vlerësuar me epitete si arrë e madhe. “Ata nuk mund të negociojnë me ne si me VMRO ne jemi një arrë e fortë”, ka thënë Apasiev, kryetar i së Majtës.

Cili është qëllimi i këtij takimi –

E ardhmja evropiane e Maqedonisë së Veriut është prioritet dhe duhet të zgjidhet me konsensus të gjerë politik e shoqëror. Kjo është tema e takimit të liderëve të partive parlamentare sot në Kuvend. Por, sa do të jetë produktiv ky takim mbetet të shihet në ditët në vijim. Tani sfidë e vendit është integrimi evropian e për të cilin duhet bërë me doemos ndryshimet kushtetuese, por për ndryshimet e tilla është i patjetërsueshëm koordinim më i gjerë politik, mbase ky është edhe qëllimi kryesor i këtij takimi, pa çka se nga qeveria e relativizojnë sikurse takim për të diskutuar për gjitha çështjet politike që janë aktuale në vend.

Cilat janë rezultatet e pritshme nga ky takim?

Mbase, është takim i realizuar tani në kohën më delikate kur vendi është edhe në krizë të shumëfishtë dhe përballë sfidës së integrimit duhej të kishte rezultate shumë të dobishme që të sillnin një koordinim të shumanshëm. Por, një gjë e tillë është shumë e vështirë të ndodhë pasi partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, pas hamendjeve vendosi të jetë pjesë e tryezës por me kusht që të diskutojë vetëm për tema të caktuara, pra jo për gjitha temat. Kur bie fjala për ndryshimet kushtetuese, nga kjo parti kanë vendim të prerë dhe janë kundër plotësisht.

Ndërkaq, kur flitet për të ardhmen evropiane janë të detyrueshme këto ndryshime të cilat janë paraparë të ndodhin edhe sipas marrëveshjes me Bullgarinë. Por, këto ndryshime nuk mund të bëhen dot pa përkrahjen e opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare, nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend apo me 80 vota të deputetëve nga 120 sa janë të gjithë. Qeveria aktuale përbëhet nga 63 deputetë, që nënkuptohet se janë të nevojshme edhe 17 deputet apo vota të tyre që ndryshimet e tilla të ndodhin.

Opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë gjithsej 10 deputetë, 7 nga ASH dhe 3 nga LB, por edhe përkundër faktit që këto parti kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre nuk garantojnë që do të votojnë për ndryshimet kushtetuese nëse nuk plotësohet kushtëzimi tyre që është kryekëput largimi i përqindjes për gjuhën shqipe nga Kushtetuta.

Kujtojmë që, nismë për takim liderësh, ditëve të kaluara kanë inicuar edhe nga opozita shqiptare, konkretisht nga Lëvizja Besa, të cilët publikisht dolën me kushtin se do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nëse në Kushtetutë ndryshohet formulimi “gjuha që e flasin 20% e qytetarëve” me “gjuhën shqipe”. /Zhurnal.mk

Related posts

Cilësia e ulët e arsimit largon studentët jashtë vendit?

Gazetamax.mk

Ende probleme me sistemin TIMS, vendkalimi Qafë Thanë ende i bllokuar

Gazetamax.mk

“Diaspora në Vendlindje” eventi madheshtor që mblodhi të gjithë në Anën e Malit

Gazetamax.mk