Në bashkinë e Shijakut deri tani 46 familje kanë përfituar nga Programi i Strehimit Social, ndërsa rreth 100 të tjera pritet të përfshihen në fazat e ardhshme të procesit.
Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana tha se objektivi është që programi të vijojë deri në përmbushjen e nevojave të familjeve që plotësojnë kriteret e përcaktuara, duke përfshirë çiftet e reja, familjet njëprindërore dhe kategoritë në nevojë për strehim.
“Synimi ynë është që çdo familje e re, familje njëprindërore apo familje në kushte nevoje për strehim, që plotëson kriteret e përcaktuara, të ketë mundësinë të përfitojë nga ky program. Asnjë aplikant që përmbush kushtet e kërkuara nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë mbështetjen që i takon”, u shpreh Arbana.
Kreu i bashkisë u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë nevojë për strehim të paraqiten pranë strukturave përkatëse të bashkisë për t’u informuar dhe për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, duke garantuar vijimin e angazhimit për familjet që janë ende në pritje.
“Strehimi është një nevojë themelore dhe mbështetja ndaj familjeve tona mbetet një nga përgjegjësitë më të rëndësishme që kemi”, tha Arbana.
Bashkia Shijak synon ta çojë përpara këtë proces, duke e kthyer programin e strehimit social në një mundësi konkrete për më shumë familje që presin të sigurojnë një banesë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre me më shumë siguri.
Burimi:botasot.info
