Shkup, 3 nëntor – MIA erdhi deri tek projekt-konkludimet e vendeve-anëtare të BE-së pas publikimit të raportit për përparimin e Maqedonisë së Veriut, në të cilat është përshëndetur progresi, por nevojiten përpjekje shtesë.
Këshilli i BE-së pret ta përshëndetë fillimin e procesit negociues me BE-në si “mirënjohje për përparimin” e Maqedonisë së Veriut në rrugën reformuese drejt BE-së, dhe do ta përshëndesë përparimin në procesin e skriningut të legjislaturës nga ana e Komisionit evropian.
Pritet të përkujtohet se pas zgjedhjeve lokale në tetor 2021 Maqedonia e Veriut duhet të bëjë “revizion gjithpërfshirës të legjislaturës zgjedhore” dhe të vazhdojë t’i ndjekë rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe Komisionit të Venecies në këtë fushë.
Në pjesën e gjyqësisë projekt-konkludimet e përshëndesin përparimin e deritanishëm, por kërkohen përpjekje të qëndrueshme për pavarësi, paanshmëri, dhe profesionalizëm të sistemit gjyqësor në vend. Nevojiten përpjekje më të mëdha për implementim sistematik të planit të aksionit për reforma gjyqësore si dhe të strategjive për resurse njerëzore në gjyqësi dhe prokurori.
Këshilli e thekson edhe rëndësinë që institucionet e shtetit t’i ndjekin rekomandimet e Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit i cili “në mënyrë proaktive vazhdoi me punë dhe hapi disa raste, përfshirë edhe kundër funksionarëve të lartë”, porosisin vendet-anëtare të BE-së. Maqedonia e Veriut duhet gjithashtu t’i përforcojë të drejtat themelore, lirinë e mediumeve dhe lirinë e të shprehurit, vlerëson BE-ja.
Reforma e administratës publike konsiderohet si e kufizuar dhe kërkohet sigurim i parimeve të transparencës, meritës dhe përfaqësimit të barabartë.
Përshëndetet përparimi në pjesën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe premtimi i qeverisë se do t’i përshpejtojë reformat në këtë fushë. Këtu përkujtohet se për këtë përparim nevojitet angazhim edhe nga pushteti edhe nga opozita në frymën e konstruktivitetit.
Është vlerësuar mirë reforma në shërbimet e sigurisë dhe të zbulimit, por përkujtohet se në mënyrë thelbësore nevojitet përforcim i kapacitetit të mbikëqyrjes kuvendore.
Në pjesën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, projekt-konkludimet tani për tani i referohen nevojës për rezultate të prekshme dhe implementim të marrëveshjeve bilaterale në frymën e besimit.
Maqedonia e Veriut është vlerësuar shkëlqyeshëm në pjesën e harmonizimit të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së.
Këto projekt-konkludime do të pësojnë akoma ndryshime në javët në vijim dhe shërbejnë për përgatitje të konkludimeve finale që Këshilli i BE-së do t’i publikojë në dhjetor për të gjitha vendet e zgjerimit, në bazë të rezultateve të Komisionit evropian dhe raportit të tij vjetor./Zhurnal.mk