GazetaMax
Lajme

Protesta në Shqipëri, ndër më të varfrit e me çmimet më të larta

Çmimet e karburanteve në Shqipëri llogariten si më të shtrenjtat në Europë. Rrogat ndër më të ultat. Mijëra qytetarë protestuan të shtunën kundër rritjes së lartë të çmimeve në vend. Protestat në Shqipëri filluan nga mesi i kësaj jave, (09.03.) kur çmimi i karburanteve u rrit me më shumë se 40 përqind dhe qeveria deklaroi se tregjet europiane dhe ato ndërkombëtare të karburanteve kanë pësuar luhatje nga lufta në Ukrainë. Protesta e së shtunës (12.03.) kishte një pjesëmarrje më të madhe se ato parë të tri ditëve më parë. Me parulla antiqeveritare si „Do dalim në rrugë me qindra dhe mijëra, po nuk ranë çmimet do bjerë qeveria”, „Taksoni oligarkët, jo qytetarët”, protestuesit mbushën bulevardin „Dëshmorët e Kombit”: Protestuesit morën fjalën para godinës së kryeministrisë me një kërkesë të njëjtë: ndalimin e rritjes së çmimeve.

Çmimet e karburanteve – më të shtrenjtat në Europë

Protestuesi Shkëlzen Margjeka, me profesion ekonomist thekson për DW se rritja ꞔmimeve është abuzive.”Çmimi i naftës në Shqipëri, edhe pa rritjen për të cilën jam sot në protestë, ka qenë më i larti në Europë. Nëse në vendet e BE një litër naftë në janar ishte 1,3 euro, në Shqipëri ishte 1,6. Nëse krahasohen pagat në vendet e BE me ato në Shqipëri situata është sa qesharake aq edhe dramatike. Nga ana tjetër rritja është abuzive. Shqipëria ka importuar 120 mijë ton naftë kur në një muaj shpenzon vetëm 50 mijë ton. Deri në maj vendi ka rezerva dhe nuk ka pse të ngrihet çmimi. Taksat në Shqipëri janë më të lartat në Europë. Edhe rritja e çmimit të miellit është abuzive pasi ka rezerva për 3 muaj. Reagimi i institucioneve shtetërore ndaj rritjes së çmimeve është shumë i vakët. Për sa kohë shteti mbahet me taksat tona, qeveria duhet të përgjigjej menjëherë. Ka një reagim të fuqishëm qytetar në këtë protestë, kam besim se ajo do të ketë ndikim pozitiv”, thotë Shkëlzen Margjeka për DW.

Shtresat e varfra dhe pensionistët në zgrip për jetesën

Shtresat e varfra që marrin një mbështetje më pak se 100 euro në muaj dhe  pensionistët me 150 euro pension nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve. Protestuesja Alketa Grepcka, pedagoge në Universitetin Bujqësor thotë për DW: „Rritja e çmimeve të shportës prek gjithë popullatën, por sidomos plotësimin e nevojave bazike të pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Por edhe ne intelektualët prekemi ngaçꞔmimet e larta të shportës. Paga ime është 500 euro në muaj, taksat janë të larta, Lufta është në Ukrainë, qeveria duhet të marrë masa për të zbutur pasojat dhe jo një ditë të bukur zgjohemi me rritje stratoferike të çmimeve,” thekson ajo për DW.

Pasuria kombëtare zotërohet nga 3 përqind e popullsisë

Në protestën e së shtunës kishte një pjesëmarrje masive të rinisë. Protestuesja Flavia Osmani, aktiviste, studente në Fakultetin e Ekonomisë thotë për DW: “Unë dhe bashkëmoshataret e mi që jemi sot në protestë mendojmë që kemi një sistem të korruptuar, ku pasurinë publike, kombëtare e zotërojnë vetëm 3 përqind e popullsisë. Qeveria mbështet vetëm më të pasurit. Kemi ardhur në një pikë, ku çmimet janë dyfishuar, kur paga minimale është 250 euro. Në një ekonomi kaq të vogël sa kjo e Shqipërisë çfarëdo lloj ngritjeje çmimesh bëhet nga oligarkë të pasur. Kjo protestë nuk ka vokacion politik. Popullit i ka shkuar thika në kockë, nuk mban më. Një byrek që ishte 2,5 euro tani është 5 dhe ne studentët po mendohemi tani, ta marrim për mëngjes apo jo,” thotë për DW Flavia Osmani. Protestat kanë shpërthyer edhe në qytetet e mëdha të vendit ku protestuesit kanë bllokuar rrugët kombëtare.

Qeveria miraton aktin normativ

Në kohën kur zhvillohej protesta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përballë godinës së kryeministrisë, kryeministri Rama zhvilloi një mbledhje të qeverisë ku u miratua Akti Normativ, që vendos një normë dhe monitoron çmimet e shitjes së nënprodukteve të naftës për konsumatorët. Protestuesit deklaruan se do ta vazhdojnë protestën e tyre në ditët e ardhshme.

Related posts

Përplasje mes pushtetit dhe opozitës për kaosin në Shkup

Gazetamax.mk

SHBA: Mbrojmë Ballkanin nga Rusia, Prishtina ka ngritur alarmin për rritjen e kërcënimit

Gazetamax.mk

Dukshëm ulet numri i foshnjave të lindura para kohe

Gazetamax.mk