Protesta, një grup qytetarësh mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej”

Një grup qytetarësh u mblodhën sërish sot në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, për të marshuar drejt godinës së Kryeministrisë, në kuadër të protestës kombëtare të thirrur nga qytetarë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Protestës i janë bashkuar edhe qytetarë nga diaspora, raporton Atsh.

Ndërkohë, policia ka vendosur një kordon sigurie për të ndarë protestuesit nga godina e Këshillit të Ministrave.

Protesta e sotme zhvillohet një ditë pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, të cilat u shoqëruan me akte dhune. Si pasojë, të paktën 61 persona mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore në spital.

Protestat e zhvilluara në datat 28 dhe 29 nëntor, në ditët kur Shqipëria feston Pavarësinë dhe Çlirimin, janë pjesë e një vale protestash që ka nisur më 31 maj të këtij viti. Në qendër të kërkesave të protestuesve janë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i klasës politike që ka drejtuar vendin gjatë tri dekadave të fundit.

Lëvizja protestuese nisi më 31 maj, fillimisht kundër projektit të zhvillimit në Zvërnec, ndërsa më pas u zgjerua me kërkesa që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe territorit. Ndër çështjet e ngritura nga protestuesit kanë qenë kundërshtimi i ligjit për “Paketën e Maleve”, kërkesat për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe anulimin e investimit të parashikuar në Zvërnec.

Në vijim, protestës iu bashkuan fillimisht studentët dhe më pas pedagogët, ndërsa kërkesat u zgjeruan dhe u përqendruan te largimi i klasës politike.

Që prej muajit tetor, protestat janë shoqëruar edhe me episode dhune. Të rinj të maskuar kanë hedhur gurë dhe bomba molotov në drejtim të forcave të policisë dhe institucioneve shtetërore, duke sjellë përshkallëzim të situatës dhe përplasje me uniformat blu, që u janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotësjellës.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të qeverisë kanë bërë thirrje për dialog, ndërsa është vënë në dispozicion edhe platforma “Fol me Kryeministrin”, e prezantuar si një hapësirë komunikimi dhe ndërveprimi mes qytetarëve dhe kreut të qeverisë.

Burimi:botasot.info