Presidenti rus Vladimir Putin thuhet se ka rënë dakord në bisedime private me idenë që Ukraina të marrë garanci sigurie nga SHBA dhe Evropa pas luftës, të modeluara sipas Nenit 5 të NATO-s, por ai vendosi një kusht kyç që asnjë forcë e Aleancës të mos stacionohet në territorin ukrainas.
Ky informacion u raportua nga kolumnisti i Washington Post, David Ignatius, bazuar në një burim pranë negociatave, transmeton KosovaPress.
Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut është parimi themelor i mbrojtjes kolektive të NATO-s, sipas të cilit një sulm i armatosur ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet një sulm ndaj të gjithë anëtarëve, gjë që i detyron ata të ofrojnë ndihmë vendit të sulmuar, duke përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.
Në kontekstin e negociatave të Ukrainës, garancitë e modeluara sipas këtij neni do të thoshin se SHBA dhe vendet evropiane do të ishin të detyruara ligjërisht të vinin në mbrojtje të saj nëse Rusia e sulmon përsëri, edhe pse Ukraina nuk do të bëhej zyrtarisht anëtare e NATO-s dhe as forcat aleate nuk do të vendoseshin në territorin e saj në kohë paqeje.
Sipas të njëjtit burim, marrëveshja do të përfshinte heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të cilat do të rivendoseshin automatikisht nëse Moska do të fillonte të grumbullonte trupa për një sulm të ri.
Wall Street Journal shkruan se Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie ligjërisht të detyrueshme bazuar në Nenin 5 të NATO-s, por pa anëtarësim formal në Aleancë.
Burimet e gazetës thonë se Uashingtoni po premton në këtë mënyrë mbrojtje kundër çdo agresioni të ardhshëm në mënyrë që të inkurajojë përparimin në negociata.
Rusia më parë e kishte konsideruar propozimin amerikan për garancitë në stilin e NATO-s të papranueshëm.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina mbetet e vendosur të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.
Burimi:botasot.info
