Rama: Traktati i anëtarësimit në BE, faqja e fundit e një libri që e gjetëm me me borxhe, dështime dhe kërcënimin e një kolapsi financiar

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cilësoi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si një moment historik, duke bërë thirrje për bashkimin e të gjitha energjive dhe kapaciteteve për përmbushjen e këtij objektivi.

Rama u shpreh se Europa është tashmë e prekshme dhe se vendi po i afrohet një faze të rëndësishme të procesit të integrimit, atë të përgatitjes së traktatit të anëtarësimit.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te situata që, sipas tij, gjeti Partia Socialiste kur erdhi në pushtet në vitin 2013, duke përmendur borxhet, vështirësitë ekonomike dhe problemet në sektorë të ndryshëm.

Ai solli në vëmendje reformën në energji dhe reformën në drejtësi, të cilat i cilësoi si procese të shoqëruara me tensione dhe përplasje, por që sipas tij kanë qenë pjesë e transformimit të vendit.

“Sot Europa është e prekshme me sy, përmes vetë gishtit të KE-së, që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitjet për traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së.

Si mundemi ne, në këtë moment historik, të mos i mbledhim të gjitha mendjet, vullnetet dhe energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet që kur nuk mbahet mend dhe që ne e gjetëm si një libër borxhesh, me borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënimin e një kolapsi financiar dhe mungesë shprese se Shqipëria mund të bëhej ndonjëherë shtet europian?

Në vitin 2013, njerëzit na kërkonin gjëra krejt elementare. Sapo ne filluam reformën e energjisë, Shqipëria nisi të zgjohej me ndjesinë se kishte filluar një faqe e re e shtetbërjes. Ndaj jemi ne këtu të parët që nuk kemi të drejtë ta harrojmë se pas traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë janë vite pune.

Edhe reforma në drejtësi, më të rinjtë këtu nuk e kanë idenë se me çfarë tensioni e kemi çuar përpara, me sa përplasje dhe sa vite ndryshimesh që dukeshin të pamundura. Tirana ka probleme, por dikur ishin vendbanime pa qytet. Aty ku sot njerëzit shijojnë qytetet së bashku me turma turistësh, në Shkodër, Berat, Lezhë, Vlorë, përfshirë edhe Belshin e vogël, dikur kishte vetëm parkingje makinash të përziera me lopë dhe viça që vinin për t’u shitur. Gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti.

Mijëra e mijëra punonjës të dinjitetshëm, shërbëtorë të padukshëm të shtetit dhe publikut shqiptar… Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë, faqja e fundit e një libri të shkruar me mundime të jashtëzakonshme… Në korridoret e spitalit ‘Nënë Tereza’ ecte njeriu me biçikletë dhe nuk dallohej mjeku nga i sëmuri.”, tha ai.

Burimi:botasot.info