Raportet e “acaruara” mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryeministrit Edi Rama po reflektohen gjithnjë e më shumë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke sjellë një zbehje të ndjeshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, thonë analistë politikë dhe përfaqësues të partive politike.
Mbledhja e përbashkët e fundit që është mbajtur në meds Kosovës dhe Shqipërisë është më 20 qershor 2022, në mes Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Rama. Më pas ishin bërë përgaditjet edhe për një takim të përbashkët të dy qeverive më 14 qershor 2023, në Gjakovë, por ajo u anulua kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi ai kishte kërkuar një takim më të ngushtë me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës, por se ky i fundit kishte refuzuar.
Shqipëria që nga ajo kohë ka mbajtur mbledhje me disa shtete, por edhe Kosova ka mbajtur mbledhje të përbashkët me Maqedoninë e Veriut, por asnjëherë më nuk janë mbledhur bashkë dy qeveritë shqiptare.
Analistët vlerësojnë se mungesa e takimeve të rregullta ndërqeveritare dhe komunikimi i kufizuar politik, po krijojnë një atmosferë stagnimi, ndërkaq vlerësojnë se narrativat e ndryshme politike të dy kryeministrave, qasjet e kundërta në çështje rajonale dhe mosdakordësitë e përsëritura, kanë krijuar distancë mes dy qeverive, duke ndikuar drejtpërdrejt në ritmin dhe cilësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve. Megjithatë, në qeverinë në detyrë, thonë se raportet Kosovë–Shqipëri, në katër vitet e fundit, kanë prodhuar rezultate të prekshme në terren.
Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, thotë për KosovaPress, se gjatë mandatit të qeverisë Kurti janë nënshkruar 58 marrëveshje të reja nga gjithsej 184 aktuale, të cilat prekin drejtpërdrejt qindra mijëra qytetarë.
Ai përmend projektet infrastrukturore, si 26 vendkalimet kufitare të reja dhe hekurudhën Prishtinë–Durrës, si dhe avancimet në dogana, arsim, njohje diplomash, pensione, lëvizje të lirë dhe bashkëpunim kulturor.
“Janë 58 marrëveshje të nënshkruara në katër vitet e fundit nga 184 gjithsej dhe qindra mijëra qytetarë që çdo ditë i prekin përfitimet nga këto marrëveshje. Janë 26 vendkalime kufitare të reja e deri te projekti gjigant hekurudha Prishtinë–Durrës që janë rezultat i këtyre marrëveshjeve. Pastaj, hapja e zyrave doganore, heqja e vulës apostile, njohja e pensioneve dhe sigurimeve, njësimi i diplomave dhe lëvizja pa kontrolle kufitare. Në arsim e kulturë janë abetarja unike, enciklopedia shqiptare dhe projektet kulturore mbarëkombëtare. Ndërsa në siguri, turizëm, bujqësi e drejtësi, procedurat e unifikuara dhe bashkëpunimi teknik po i bëjnë dy shtetet më funksionale dhe më të afërta se kurrë. Kemi rritur dukshëm shkëmbimet tregtare. Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë po i organizojmë në bashkëpunim me Shqipërinë”, thotë ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.
Kryeziu konsideron se proceset zgjedhore në të dy vendet kanë krijuar një ndërprerje të natyrshme të ritmit, por pret ringjallje të bashkëpunimit pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë, gjatë mandatit të kryeministrit Kurti, kanë zhvilluar dy mbledhje të përbashkëta. Dihen mirë zhvillimet rreth anulimit të mbledhjes së tretë të planifikuar që të mbahej në Kosovë. Megjithatë, marrëveshjet e parapara për atë mbledhje janë nënshkruar. Prej atëherë kemi pasur një cikël të rregullt zgjedhor që u mbajt në shkurt të këtij viti në Kosovë, pastaj një në Shqipëri në maj të këtij viti, dhe tash jemi pranë një cikli tjetër, jo të rregullt, në Kosovë, pra zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor. Besojmë se me përfundimin e zgjedhjeve të dhjetorit dhe me formimin e qeverisë së re në Kosovë, të dalë nga këto zgjedhje, do të rifillojnë planet për të parë mundësinë e vijimit të mbledhjeve të përbashkëta”, shton Kryeziu.
Në anën tjetër, brengosja për stagnimin e komunikimit politik është e dukshme. Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, vlerëson se mungesa e shkëmbimeve të dyanshme dhe takimeve të rregullta ndërqeveritare, ka krijuar zbehje të raporteve. Sipas tij, kundërshtimet në një sërë temash po e bëjnë bashkëpunimin më të vështirë.
“Duke e pa që s’ka as shkëmbime të dyanshme dhe as komunikim si duhet, korrekt dhe aq më pak takime të dy qeverive, konsiderojmë se kohëve të fundit ka një… nuk po dua ta quaj prishje të relacioneve, pasi s’ka kush që i prish relacionet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Por ka një zbehje, pasi ka kundërshtime të mëdha në shumë tema. Kjo në të vërtetë është brengosëse”, thotë ai.
Edhe në Shqipëri, analistët politikë shprehen kritikë. Analisti Ben Andoni thotë se Shqipëria dhe Kosova “janë gjithnjë e më shumë larg njëra-tjetrës”, duke fajësuar narrativat politike të kryeministrave Rama dhe Kurti. Ai nënvizon se arti, kultura dhe sporti janë fushat që po mbajnë ende të gjallë afërsinë, ndërsa në politikë ka distancë të dukshme. Sipas tij, qasja e kryeministrit Rama ndaj Kosovës shpesh është ajo e një shteti të BE-së, ndaj një vendi që nuk i përket unionit, çka krijon tension.
“Shqipëria me Kosovën nga viti në vit janë shumë larg njëra-tjetrës. Narrativa e zotërit Rama dhe zotëri Kurti gjithmonë e më shumë po i largon nga njëra-tjetra. Duket se edhe në fusha të tjera Kosova dhe Shqipëria po largohen jashtëzakonisht. Nëse nuk do të ishte arti, nëse nuk do të ishte kultura dhe sporti, unë mendoj se do të ishim larg me Kosovën… Fajtorët për këtë, nëse do të ishte fjala më e përshtatshme, po mendoj se janë dy kryeministrat aktualë të Kosovës dhe Shqipërisë. Në Kosovë e qeverisë tranzitore zotëri Kurti dhe në Tiranë zotëri Rama që e ka marrë mandatin e katërt… Zotëri Rama në shumë momente i qaset Kosovës sikur është pjesë e Bashkimit Evropian dhe Kosova nuk është shtet ku mbizotëron kombi shqiptar. Besoj se ky është problemi shumë i madh ndërmjet dy vendeve tona”, deklaron ai.
Ngjashëm, analisti Albinot Maloku vlerëson se pavarësisht numrit të marrëveshjeve të nënshkruara, raportet zyrtare Kosovë–Shqipëri kanë pësuar regres.
Sipas tij, lidhjet natyrore midis dy vendeve mbeten të forta vetëm në plan kombëtar, ndërsa në atë ndërshtetëror, situata është larg pritjeve.
“Pritjet në krye të herës, sidomos nga ana e Kosovës, kanë qenë që të kemi një raport më aktiv dhe dinamik për interesat e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe kemi një regres të raportit zyrtar, pavarësisht se kemi një numër protokollesh dhe marrëveshjesh të nënshkruara. Problematika ka qenë te keqësimi i tyre në terren dhe për mua ka qenë e çuditshme sesi është e mundshme që dy liderë dhe kryeministra vendi, që vijnë edhe nga një familje e ideologjisë politike, të kenë këtë animozitet të raporteve të tyre kaq të largëta. Kosova dhe Shqipëria sot nuk duken se i kanë raportet kaq të mira, përveç asaj që është e natyrshme që i lidh kombi shqiptar. Por jo në aspektin e raportit ndërshtetëror, pavarësisht se është investuar për disa dekada, mirëpo jo në nivelin e kënaqshëm. Po flasim edhe për mbledhjen e këtyre dy qeverive që nuk kanë ndodhur për disa vite tani më”, thekson ai.
Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar gjithsej 184 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.
Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur mbledhjen e parë më 11 janar 2014, në Prizren. Aty more pjesëkabineti qeveritar nga Qeveria Thaçi III dhe Qeveria Rama I. /Kosovapress

