GazetaMax
Lajme

Ratifikimi i Marrëveshjes me FRONTEX, një kapitull i rëndësishëm në aspektin e mbrojtjes së kufijve

Parlamenti mbrëmë ka miratuar ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për FRONTEX dhe Marrëveshjen për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, duke u bërë pjesë e rendit të brendshëm juridik të shtetit.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski vlerëson se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve kyçe në Parlament do t’i hapë edhe më shumë rrugën vendit drejt integrimeve evropiane.

“Me miratimin e Ligjit të propozuar për ratifikimin e Marrëveshjes Frontex, ratifikohet marrëveshja e parë që Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, e cila thekson gjuhën e pastër maqedonase, pa asnjë shtesë, së bashku me të gjitha gjuhët e tjera në BE. Ky është premtimi që kam bërë dhe ky është premtimi që kam mbajtur. Një kapitull tjetër i rëndësishëm në aspektin e mbrojtjes së kufijve tanë, sigurisë dhe stabilitetit të shtetit është në përfundim”, deklaroi Kovaçevski.

Kryeministri përshëndeti edhe ratifikimin e Marrëveshjes nga nisma e Ballkanit të Hapur me të cilën, siç tha ai, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë kanë mundësinë të punojnë në cilindo nga tre vendet pa leje pune dhe pa ndonjë pengesë.

“Ne po përmirësojmë dhe ndryshojmë jetën e qytetarëve, të cilët nga ne presin përgjegjësi, këmbëngulje dhe stabilitet në ndërmarrjen e hapave shtetërorë”, shton kryeministri Kovaçevski.
Marrëveshja FRONTEX u nënshkrua më 26 tetor 2022 në prani të kryeministrit Dimitar Kovacevski dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe është marrëveshja e parë e nënshkruar ndërmjet Komisionit Evropian dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në gjuha maqedonase. Kjo Marrëveshje ka rëndësi operative dhe politike si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Marrëveshja hap mundësinë e krijimit të operacioneve të përbashkëta të Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.(Indeks.mk)

Related posts

Nënguvernatorja Nacevska në dialogun e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Gazetamax.mk

Arrestohen tre persona në Tetovë, kapen me drogë

Gazetamax.mk

Emigranti humb jetën në Miravci, goditet nga treni

Gazetamax.mk