GazetaMax
Ballina

Reflekse nga leximi i romanit te Migjen Kelmendit “Gryka e kohes”

“Ikja shpesh. Dhe e ktheja kokën pas. Dhe thonë, në atë çast dëshiron të kthehesh një ditë. Dhe kthehesha. Asgjë nuk ishte e njëjtë. As peizazhet, as njerëzit, as unë… E kuptova. Nuk duhet të kthehesh. Ajo që ka qenë e bukur, le të mbetet përgjithmonë në ëndrra. Do të zgjasë përjetë” (Sergej Esenin)

 

Nga Alida Muça

“Mallëngjehem, pra ekzistoj” – kështu formësohet kuptimi bashkëkohor i nostalgjisë, që përkufizohet si mall për të kaluarën.

Duke ndjekur “historinë e hipokondrisë” së zemrës nga një dhembje kalimtare deri te një sëmundje moderne e pashërueshme, Svetlana Boym hapi një fushë të re kërkimi, vendosi një tipologji të re dhe zbuloi një estetikë të re: studimin e nostalgjisë, duke shkruar një lloj të ri të meditimit enciklopedik që na udhëheq nëpër misteret dhe ritmet e mallëngjimit, një kalendar jashtëkohor të ëndërrimit me sytë çelë dhe një traktat që e përcakton diagnozën e epidemisë sonë globale të mallëngjimit.

Edhe pse në shikim të parë paraqet mall për një vend të caktuar, nostalgjia në fakt është mall për një kohë tjetër – për kohën e fëmijërisë sonë dhe për ritmin e ngadaltë të ëndrrave tona. Nostalgjiku dëshiron të udhëtojë prapa në kohë; ai refuzon t’i dorëzohet natyrës së pakthyeshme të kohës që na e bën jetën të hidhur. Në fakt, çdo referencë për diçka të këndshme e të dashur dhe të mbetur përjetë në kohë, ka detyrimisht një potencial nostalgjik, autorial dhe marrës.

Në dallim nga nostalgjia restauruese, e shkëputur rrënjësisht nga çdo sferë “private”, ku aspekti emocional është në plan të dytë, te nostalgjia refleksive shkrimtari nxitet nga mallëngjimi i dhembshëm algija, që kthimin në vendlindje, në shtëpi gjithmonë e shtyn për më vonë; reflektimi drejtohet nga detajet dhe shenjat që zgjojnë kujtime, kurse vetë kthimi në vendlindje shtyhet për më vonë dhe shpesh edhe nuk ndodh kurrë. Shkrimtari e aspiron shakanë dhe ironinë, ai nuk do që ta rindërtojë vendin mitik të quajtur shtëpi, i cili ka kohë që është rrënuar, por para së gjithash ka prirje të thellohet në temën e kaluara dhe kalueshmëria e kohës. Në reflektimin e tij, nostalgjiku është në kërkim të vetvetes dhe kthimi në vendlindje nuk nënkupton edhe plotësimin e identitetit, gjë që çon në një ndjenjë ambivalence, e ndonjëherë edhe në përpjekje (të pasuksesshme) për t’u kthyer në të.

Duke mos ditur asgjë për njëri-tjetrin (bashkëkohës, të dy të lindur në v. 1959), autori kosovar Migjen Kelmendi shkruan dhe boton romanin “Gryka e kohës” afërsisht në periudhën e njëjtë kur Svetlana Boym, në një pjesë tjetër të botës, punon në traktatin e saj “E ardhmja e nostalgjisë”.

Pa njohur përmbajtjen që krijon tjetri, që të dy, edhe S. Boym, edhe M. Kelmendi, ëndërrimtarë të së njëjtës ëndërr, sikur në mënyrë të padiskutueshme ndjekin njëri tjetrin, gjejnë njëri-tjetrin, bien dakord me njëri tjetrin dhe plotësojnë njëri-tjetrin.

Romani “Gryka e kohës“, në dukje si një prozë faktografike, por në thelb një prozë fiktive është një roman i rrezatimeve mbi ashpërsinë e jetës dhe mbi fatet e tradhtuara të personazheve në një kontekst mbresëlënës historik; portret i një kohe në ekspozim të dyfishtë filmik, nga sfondi i të cilit shkrimtari nëpërmjet situatave dhe atmosfera që përputhen me shprehjen skenarike, nëpërmjet përshkrimeve mallëngjyese dhe delikate, metaforave të mrekullueshme dhe narracionit të pasur, shumështresor na e prezanton me mjeshtëri mozaikun e një kohe.

Në “Gryka e kohës”, nga vetë titulli njohim një autor që, duke vuajtur për një kohë tjetër, për ritmin e ngadaltë të së kaluarës, derisa nëpër faqet e librit i rikrijon peizazhet mahnitëse, rrugët, ambientet dhe dekorimet e Pejës së lashtë (dhe të vendeve të tjera të vendlindjes), derisa na rrëfen për njerëzit, për virtytet e tyre dhe për mbrapshtinë e pasioneve të njeriut, në fakt kërkon butësi, kujtohet në fëmijërinë, në fytyrat e derdhura në mbrëmjet verore, ndërsa refuzon me kokëfortësi t’i dorëzohet kohës që na e bën jetën të hidhur.

Duke ia dhënë gjyshit të tij Arif rolin e aktorit kryesor në shfaqen e mrekullueshme të romanizuar “Gryka e kohës”, përmes aktrimit virtuoz të personazheve që i ka formësuar vetë, autori – ëndërrimtar na tregon një rrëfim, në të cilin koha rrjedh sipas logjikës së vet:

“Me te zbritur nga Rugova ne Peje ata ishin rrezuar nga nje bote ku koha matej me qirinj dhe rridhte nga poshte-lart duke u derdhur ne qiell, atje ku do te derdheshin edhe shpirterat e tyre nje dite (“ate dite qe te gjithe e kemi te shkruar ne balle”), ne nje bote, ne te cilen koha matej me klepsider dhe rridhte nga lart-poshte. Rugovasit ishin te bindur se, porsi lumenjte e uji qe derdhen ne oqean, njeashtu edhe koha qe seshte tjeter pos nje lume i padukshem, derdhet ne qiell, ne ate okean te pafund, ne ate okean gjihtekohesie.”…

Përmes mallëngjimit për hapësirat e imagjinuara të fëmijërisë së tij, përmes humorit suptil dhe ironisë të shpeshtë të pranishme në roman, autori krijon peizazhe përplot imazhe të mrekullueshme (mahnitëse, ndonjëherë pikëlluese, kurse tjetër herë të gëzueshme) nga jeta që rrjedh si Bistrica në shtratin e vet dhe, duke ndjekur rrjedhën e vet, bart dhe shtreson ngjarje të papritura në amfiteatrin e Bjeshkëve të Nemuna:

“Rugova eshte ajo pjese e vargmaleve qe te Nemuna ua lane emrin te cilen, si ne shajni, ta rrok syri gjersa ti je i mahnitur me Gryken e famshme te Rugoves, me ate hir te Te Madhit dhe me kreshtat ne majat e te cilave edhe ne pike te veres ka bore. Andej nga ana e hijes.”…

Përmes kujtimeve të personazhit kryesor këmbehen skena dhe aktorë shkëlqyes:

“Mendimi i rugovasit qe celesi qe hapi kutine e pacelur kurre te mbamendjes se Arifit prej nga, te shprushura, bene te shperthenin pamje, qe Arifi i kujtoi e i pa per here te pare, astu te larezuara me shkelqim te praruar kujtimi.”…

Në skenën e aktrimit rolet e tyre do t’i luajnë me mjeshtri Sofia e bukur që përmallohet për idenë e të dashurit, ëndërron me sytë çelë dhe shkruan letra shumë të bukura; malësori trim rugovas Ramë Ujkani, i cili në mes të skenës së jetës dhe për të mbijetuar në të, detyrohet ta peshojë gjënë më të çmuar ndër malësorët e Rugovës, dinjitetin; gruaja dhe nëna Zake tradicionalisht e flijuar, banorët lokalë dhe tregtarët e pasur dhe përfaqësuesit të politikave të paqëndrueshme në kontekstin e ashpër historik ballkanik midis dy luftërave botërore dhe mandej, të shekullit XX. Ritualet e ndryshme fetare zhvillohen qetë në skenën e jetës; kalojnë ushtri dhe sëmundje, pushtuesit e mëparshëm ua lënë vendin të rinjve; disa breza do të zëvendësohen nga të tjerë në mashtrimin e quajtur jetë, së cilës nuk mund t’ia parashikojmë as fuqinë, as mundësitë.

Dhe mbi të gjitha këto (si ndonjë hije) zbret një shall i madh i bardhë për t’i mbuluar.

Related posts

Ulja në mënyrë të gabuar gjatë kryerjes së nevojave mund të shtoj rrezikun për kancer, paralajmëron ekspertja

Gazetamax.mk

Pas ” Hajde” Eri Bajraktari një bashkêpunim me një artiste të njohur

Gazetamax.mk

Ushqimet që rrisin performancën e trurit

Gazetamax.mk