GazetaMax
Lajme

Rënditja e rajonit në ndërtim dhe prodhim, ja ku gjendet Maqedonia e Veriut

Shkup, 2 Tetor – Kompania e prodhimit të katalizatorëve të makinave “Johnson”, që shfaqi interes vite më parë për të hyrë edhe në Shqipëri, por zgjodhi sërish Maqedoninë e Veriut, sot arrin në vendin fqinjë një qarkullim vjetor katër herë më të lartë se sipërmarrja më e madhe tek ne.

Si Serbia dhe Maqedonia po e zhvillojnë me shpejtësi industrinë prodhuese, ndërsa Shqipëria vijon të rendë pas ndërtimit. Renditja e kompanive më të mëdha rajonale.

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor e mori veten me shpejtësi pas rënies në vitin pandemik. Rritja vjetore e prodhimit u nxit nga kërkesa e fortë e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e heqjes graduale të masave të kontrollit të lidhura me COVID-19, si dhe efekteve të ulëta bazë në disa vende.

Mali i Zi shënoi rritjen më të shpejtë në vitin 2021, me 12.5%, pasi kishte humbur më shumë në 2020-n, teksa ekonomia e vendit ra me 15.2%, për shkak të mbylljes së gjatë që ndikoi në industrinë e turizmit. Kosova u rrit me 10.5%, pas rënies me 3.9%.

Shqipëria u zgjerua me 8.5%, pasi tkurrja në 2020-n ishte shumë më e ulët sesa pritej, me vetëm -3.3% (nga deri në -9% që ishin vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare). Serbia, vendi që u godit më pak nga pandemia, me rënie vetëm -1%, u zgjerua fort me 7.4%.

Më të vështirë e kishte kapërcimin e pandemisë Maqedonia e Veriut, që u rrit me vetëm 4.2%, pas një tkurrje prej 4.5% vitin e mëparshëm. Bosnjë-Hercegovina u rrit me 6.9%, pas reduktimit me 4.5%.

Burimi: Komisioni Europian

Por, rimëkëmbja u ngadalësua në pjesën e parë të vitit 2022. Sipas Komisionit Europian, në tremujorin e parë 2022, PBB e rajonit u zgjerua me 4.7% në vit, krahasuar me 6.3% në tremujorin e mëparshëm.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt po jep ndikim negativ në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, përmes kanaleve të ndryshme të transmetimit. Në veçanti, rritjet e forta të çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe transportit po nxisin përshpejtim të mëtejshëm të inflacionit, gjë që po i shtyn bankat qendrore të rajonit me autonomi monetare të rrisin më tej normën bazë të politikës monetare.

Shqipëria vijon të ketë strukturë të paqëndrueshme ekonomike, me varësi të lartë nga bujqësia dhe ndërtimet (kjo e fundit zë një peshë të konsiderueshme në industrinë e vendit, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, që janë më të orientuara te prodhimi).

Shqipëria kaloi e fundit në rajon në vitin 2021, për eksportet e mallrave dhe shërbimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), duke u renditur pas Kosovës, që ishte, deri tani, në fund të renditjes.

Të gjithë vendet panë rritje të këtij treguesi, duke i tejkaluar nivelet e parapandemisë. Vetëm Shqipëria mbeti ende poshtë niveleve të 2019-s, duke reflektuar dobësitë e saj në vlerën e ulët të shtuar të mallrave, shërbimeve që tregtohen jashtë vendit.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dy vende që kanë investuar në prodhim, kanë eksporte me vlerë të shtuar të lartë, duke kryesuar rajonin. Shqipëria vijoi ta ketë këtë tregues më të ulëtin në rajon, në 30.6% të PBB-së, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Serbia e kanë përkatësisht 65.9% dhe 54.4% të PBB-së.

Burimi: Banka Botërore

Shqipëria mbetet vendi më bujqësor i Europës, me 20.3% të Vlerës së shtuar bruto (VSHB) në 2021, shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian (1.6%) dhe e vendeve të rajonit.

Prodhimi i lartë bujqësor nuk është shfrytëzuar për të nxitur industrinë prodhuese vendase, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me peshë më të ulët të industrisë në Europë. Shqipëria i ka përqendruar kapitalet e lira në sektorin e ndërtimit, i cili ka peshën më të lartë në Europë, në raport me vlerën e shtuar bruto të ekonomisë.

Vendi mbetet i fundit në Europë për peshën që zënë në ekonomi “Informacioni dhe komunikimi” dhe “Shërbime financiare dhe të sigurimit”. Aktiviteti i “Tregti me shumicë e pakicë, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor” është në nivele të ngjashme me Europën, por më i ulët sesa shtetet e rajonit.

Burimi: Eurostat

Industria është sektori më pak i zhvilluar në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj në vlerën e shtuar bruto ishte 14% në fund të vitit 2021, duke lënë pas Malin e Zi, me 12%. Rekordin në rajon e mban Serbia me 23%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, pesha është 19%.

Ky model reflektohet dhe në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, ku në Shqipëri dominon tregtia, ndërsa në dy shtetet e tjera janë sipërmarrje të mëdha në fushën e prodhimit. P.sh., në Maqedoninë e Veriut, kompania më e madhe qarkullon 2 miliardë euro në vit, në fushën e prodhimit të katalizatorëve për automjetet.

Në kontrast, në Shqipëri, në industrinë mbështetëse automotive që po zhvillohet vitet e fundit, kompania më e madhe ka të ardhura prej më pak se 40 milionë eurosh.

Peshë të lartë të industrisë ka dhe Kosova, në rreth 24% të vlerës së shtuar bruto, por që është e lidhur kryesisht me ekzistencën e disa ndërmarrjeve të mëdha në prodhimin e qymyrit.

Burimi: Eurostat

Në të kundërt, sektori i ndërtimit në Shqipëri ka qenë vazhdimisht një nga gjeneratorët kryesorë të tërheqjes së kapitalit të lirë. Pesha e këtij sektori ishte më e larta në vitin 2002, me 18.3% të VSHB-së.

Në fund të vitit 2021, ndërtimi zuri gati 11% të VSHB-së, më i larti në Europë dhe rajon. Ndërtimi është kthyer në një sektor të rëndësishëm edhe në Kosovë, me 10.6% të VSHB-së. Në shtetet e tjera, ky tregues luhatet në 6-7% të VSHB-së.

Burimi: Eurostat

Përkundrejt rendjes shqiptare drejt ndërtimit, Banka Botërore në raportin e fundit rajonal, argumenton se rritja e qëndrueshme nuk mund të ndodhë në Ballkanin Perëndimor, pa reforma strukturore për të rritur produktivitetin, për të rritur konkurrencën, për të investuar në kapitalin njerëzor dhe për të forcuar qeverisjen.

Masat për të reduktuar kostot rregullatore të biznesit, për të rritur konkurrencën në treg, për të mbështetur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe për të forcuar pavarësinë e institucioneve publike do të ishin të gjitha mbështetëse për rritjen në një mjedis të pasigurt.

SERBIA, RRITJA E INDUSTRISË

Serbia u rimëkëmb ndjeshëm nga ndikimi i pandemisë COVID-19, duke shënuar rritje reale të PBB-së prej 7.4% në vitin 2021, e cila u nxit nga konsumi dhe investimet e forta private, sipas Bankës Botërore. Pasojat e luftës në Ukrainë, megjithatë, po rëndojnë mbi eksportet e Serbisë, Investimet e Huaja Direkte, remitancat dhe të ardhurat nga turizmi.

Sektorët më të fortë të ekonomisë së Serbisë janë energjia, industria e automobilave, makineritë, minierat dhe bujqësia.

Eksportet kryesore industriale të vendit janë automobilat, metalet bazë, mobiliet, përpunimi i ushqimit, makineritë, kimikatet, sheqeri, gomat, rrobat dhe produktet farmaceutike. Në renditjen e vitit 2021 shihet një rritje e fortë e kompanive që janë pjesë e sektorit të industrisë.

JP EPS BEOGRAD, kompania shtetërore e energjisë, është më e madhja në Serbi, me qarkullim vjetor 2.8 miliardë euro në vitin 2021.

“NIS A.D. NOVI SAD”, me 1.5 miliardë euro të ardhura, është e dyta më e madhe. Sipas faqes së saj të internetit, NIS është kompania më e madhe e energjisë e integruar vertikalisht në Europë, me aktivitet kryesor në shfrytëzimin, prodhimin e rafinimin, shitjen dhe shpërndarjen e një sërë produkteve të naftës, si dhe zbatimin e projekteve të energjisë. Kompania shënoi një rritje prej 12.5% të të ardhurave në vitin 2021, pas rënies me 30%, e ndikuar nga ecuria negative e këtij segmenti globalisht gjatë pandemisë.

“HBIS GROUP Serbia Iron & Steel plant Belgrade” ka kaluar në kompaninë e tretë më të madhe në Serbi, pas dyfishimit të të ardhurave, në 1.1 miliardë euro. Kompania, sipas faqes zyrtare të internetit, është themeluar në vitin 2016, si pjesë e korporatës ndërkombëtare HBIS GROUP.

Sipërmarrja është prodhuese e çelikut, produkteve të petëzuara në të nxehtë dhe të ftohtë dhe pllaka kallaji ndër më të njohurat në Europën Juglindore. Kapaciteti i parashikuar i prodhimit të kompanisë është 2.2 milion tonë produkte të gatshme në vit dhe ka më shumë se 5000 punonjës.

“Serbia Zijin Copper” rriti të ardhurat me 68%, në 1 miliard euro në vitin 2021. Grupi ka katër miniera bakri – JM, VK, NC dhe MS, dhe një fabrikë shkrirjeje. Minierat ndodhen në brezin metalogjenik euroaziatik, me perspektiva të mira metalogjenike dhe potencial të madh për zbulime të mëtejshme.

Projekti, dikur me humbje, u kthye shpejt në fitimprurës nga Zijin në 2018-n, pas blerjes së tij nga kinezët. “Serbia Zijin Copper” po përshpejton përmirësimin teknik dhe zgjerimin e 4 minierave të saj dhe fabrikës së shkrirjes, sipas faqes zyrtare. Pas përfundimit, kompania do të prodhojë 120,000 tonë bakër të përpunuar dhe 180,000 tonë katodë bakri.

“Tigar Tyres”, prodhuesi i gomave, që prej vitit 2007 është në pronësi të francezes “Michelin”, raportoi të ardhura 890 milionë euro, me rritje 10%, pas tkurrjes me 8.5% vitin e mëparshëm.

Serbia është e orientuar nga industria dhe prodhimi, teksa në renditjen e më të mëdhave mbizotërojnë sipërmarrjet në fushën e minierave, gazit, industrisë së çelikut.

E zhvilluar është edhe industria farmaceutike, me dy sipërmarrje ndër 20 më të mëdhatë, që i përkasin këtij sektori.

Zinxhirët e tregtisë me pakicë janë të fuqishëm. “Delhaize” është e gjashta më e madhe në vend, me 1 miliard euro të ardhura, ndërsa “Mercator”, në vend të dhjetë.

MAQEDONIA E VERIUT, INDUSTRIA AUTOMOTIVE SHUMË MË E ZHVILLUAR SE NË SHQIPËRI

Pak vite më parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin në “konkurrencë” se cili do të tërhiqte më shumë investime të huaja. Maqedonia e Veriut nisi një fushatë agresive, nëpërmjet incentivave fiskale dhe krijimit të zonave të lira, duke reklamuar dhe dalje në det, përmes Portit të Durrësit.

Shumë kompani të industrisë mbështetëse automotive, që shfaqën interes për rajonin, zgjodhën në atë kohë Maqedoninë e Veriut, edhe për shkak të procedurave më të ulëta burokratike dhe nxitësve fiskalë.

Në fund të vitit 2015, kompania amerikane “Johnson Control”, që prodhon katalizatorë makinash, njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip. “Johnson Control” shfaqi interes dhe për Shqipërinë, por deri tani investime konkrete ka pasur vetëm në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2021, kjo kompani (JONSON METI DOOEL Skopje) ishte sipërmarrja më e madhe në Maqedoninë e Veriut, me 2 miliardë euro të ardhura dhe mbi 2 mijë të punësuar. Qarkullimi vjetor i saj është gati 4 herë më i lartë sesa i ndërmarrjes më të madhe në Shqipëri, që është Operatori Shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë dhe gati 7 herë më i madh se “Kurum International”, që është sipërmarrja kryesore prodhues në vendin tonë.

Kompania është degë e sipërmarrjes britanike, “Johnson Matthey Plc”, më e madhja në botë për prodhimin e katalizatorëve për makina. Sipas faqes zyrtare të internetit, kompania mëmë e zgjodhi Maqedoninë e Veriut për megafabrikën në Europë për prodhimin e katalizatorëve që kontrollojnë emetimet, në konkurrencë me 13 shtete të tjera të rajonit, përfshirë Republikën Çeke, Hungarinë dhe Sllovakinë.

Në vitin 2012, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar dhe në Shqipëri, por Maqedonia e Veriut arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.

Gjatë vitit 2020, Maqedonia e Veriut miratoi Ligjin për Investimet Strategjike, për të krijuar kushte më të favorshme për investime të zgjedhura në sektorët e mëposhtëm: energji, transport, telekomunikacion, turizëm, prodhim, bujqësi dhe ushqim, pylltari dhe ekonomi ujore, shëndetësi, parqe industriale dhe teknologjike, ujëra të zeza dhe mbeturina, menaxhim, sport, shkencë dhe arsim.

Prej vitesh, Maqedonia e Veriut po tërheq investime në industrinë automotive, që janë kthyer në gjeneratorë punësimi. Në listën e më të mëdhave të shtetit fqinj mbizotërojnë sipërmarrjet prodhuese.

“KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola”, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej rreth 210 milionë eurosh në vitin 2021. Numri i punonjësve i ka kaluar 6000.

Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve ndaj PBB-së në Maqedoninë e Veriut janë më shumë se dy herë më të larta se në Shqipëri (shih grafikun më lart).

Maqedonia e Veriut ka të zhvilluar dhe industrinë farmaceutike. “ALKALOID AD Skopje” kishte të ardhura prej rreth 162 milionë eurosh në vitin 2021.

EDHE BOSNJË-HERCEGOVINA MBAHET ME TREGTI E NAFTË

Ekonomia e Bosnjë-Hercegovinës vijoi rimëkëmbjen edhe në muajt e parë të vitit 2022. Sipas Komisionit Europian, konsumi familjar, eksportet, si dhe rritja e investimeve të nxitura nga efektet bazë vazhduan të jenë nxitësit kryesorë të rritjes.

Bosnjë-Hercegovina ka strukturë të ngjashme të kompanive më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, me atë të Shqipërisë. Ndër 10 më të mëdhatë mbizotërojnë energjia, tregtia dhe nafta.

Në vendin e parë në renditjen e vitit 2021 është kompania “Bingo” e Tuzlës, me aktivitet në tregtimin me pakicë, që është më e madhja private në vend, me 716 milionë euro të ardhura. Ajo është dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, me gati 8 mijë të punësuar.

Operatori shtetëror i energjisë, “Elektroprivreda BiH” është në vendin e dytë, me të ardhura rreth 574 milionë euro.

“Holdina d.o.o. Sarajevo”, një nga kompanitë më të mëdha për shitjen e naftës dhe nënprodukteve të saj në tregun me shumicë është e treta, me 562 milionë euro.

“Arcelormittal Zenica”, një nga konkurrentët kryesorë rajonalë të prodhimit të çelikut, u rrit me 57%, në 490 milionë euro.

MALI I ZI, PSE KISHTE ME RËNIEN MË TË FORTË NË BALLKAN

Varësia e lartë nga turizmi dhe mbajtja e kufizimeve në muajt e verës bëri që ekonomia e Malit të Zi të shënonte një rënie dyshifrore në 2020-n, prej -15.2%. Rimëkëmbja ishte e shpejtë në vitin 2021, me 12.4%.

Teksa Mali i Zi është një vend i orientuar nga shërbimet dhe turizmi, që nxit konsumin, në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi, sipas qarkullimit vjetor, mbizotërojnë subjektet e tregtimit me pakicë e shumicë dhe rrjetet e supermarketeve, me tre të tilla ndër 10 kryesoret, sipas renditjes së vitit 2021.

Si kompania më e madhe në vitin 2021 u rendit operatori i energjisë, “Elektroprivreda”, me 395 milionë euro të ardhura.

“Voli Trade” është një tregtues me pakicë, me aktivitet kryesor në linjat e supermarketeve. Me mbi 2000 të punësuar, ai është punëdhënësi më i madh në vend, sipas burimeve të veta zyrtare. Të ardhurat e kompanisë ishin 256 milionë euro në vitin 2021, duke e renditur të dytën më të madhe.

Dy zinxhirë të tjerë të mëdhenj supermarketesh në Mal të Zi, janë “Hard Discount Lakovic”, zinxhiri malazez i hipermarketeve, me 166 milionë euro të ardhura dhe “Mercator”, linjë e zinxhirit slloven, që në vitin 2021 raportoi 103 milionë euro të ardhura.

Related posts

Xhaferi: Unë besoj tek rinia, gjithmonë është nder të jemi krah sukseseve të juaja

Gazetamax.mk

Gati 5.000 punëdhënës nuk kanë paguar pagat në gusht, alarmoi DAP

Gazetamax.mk

EDITORIAL / “Vaj halli për qytetarët gjatë këtij dimri” Nuredini: Ngrohuni me rrymë, ndërsa ministria e Ekonomisë me apel që të kursehet rryma elektrike!

Gazetamax.mk