GazetaMax
Lajme

Rikthimi i vetos bullgare nuk përjashtohet si mundësi!

Shkup, 24 janar – Marrëdhëniet Shkup – Sofje janë vendimtare për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndaj këtyre marrëdhënieve është e varur edhe Shqipëria si shtet fqinjë i RMV-së, që janë tu futura në bllok shtete që po vazhdojnë rrugëtimin drejt BE-së. Pas arritjes së një marrëveshjeje e cila ishte e pranueshme për dyja shtete me ndihmën e propozimit francez, Bullgaria hoqi bllokadën e vendosur ndër vite që pengonte integrimin e Maqedonisë së Veriut. Por, tani pas kësaj periudhe po flitet për rikthimin e serishëm të vetosë bullgare, sipas ministrit të Jashtëm bullgar rikthimi i vetos nuk përjashtohet si mundësi. A është koha që Maqedonia e Veriut të kthehet në pikën zero si pasojë e prishjes së raporteve me Bullgarinë?. Një situatë e tillë do të ishte shumë e dëmshme jon vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë por për një rajon të tërë pasi do të largohen mundësitë e një anëtarësimi në BE dhe me këtë do të rritet hapësira e ndikimit rus në këtë rajon, shkruan Zhurnal.

Çfarë po ndodhë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë?

Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Milkov, në një takim në Bruksel ka informuar kolegët për sekretarin e rrahur të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov, dhe ka kërkuar prej tyre solidaritet lidhur me këtë çështje.

“Kemi eskalim të tensioneve dhe presionit lidhur me të drejtat e bashkësisë bullgare atje. Ata filluan me miratimin e veprimit legjislativ kundër bashkësisë bullgare dhe të drejtave të tyre për shoqërim, që tregoi konsensus mes pushtetarëve dhe opozitës në bazë antibullgare. Menjëherë më pas vijoi djegia e klubit bullgar, për çka u shqiptua dënim me kusht. Më pas tre sulme të klubeve tjera dhe gjuajtje me armë ndaj njërës prej tyre. Fajtorët asnjëherë nuk u gjetën”, deklaroi Milkov.

Në pyetjen nëse Bullgaria përsëri do ta shfrytëzojë të drejtën e vetos për negociata të Maqedonisë së Veriut me BE-në, Millkov lë hapësirë për të disktuar në këtë çështje, nuk shprehet as për dhe as kundër. Kjo përgjigje e tij e shoqëruar me neutralitet tani për tani është përgjigje negative dhe nuk ka dhënë sinjal të mirë, me çka gjasat për rikthim të vetos bullgare maksimalizohen.

“Gjithçka varet si do të vijojnë punët, në vend të parë kjo çështje asnjëherë nuk përjashtohet, edhe pse e drejta e vetos është si një armë atomike – fuqia e saj nuk duhet të shfrytëzohet, por të qëndrojë si një mundësi të detyrojë tjerët të tërhiqen, të negociojnë, të arrihet te një konsensus të gjerë. Shpresoj se nuk do ta shfrytëzojmë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë bullgare.

Ndryshe, ambasadorja e SHBA-së në vend, Angela Ageler, ka potencuar se me rëndësi kritike është që të qetësohen bisedimet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe liderët e të dyja anëve të kufirit të mund të diskutojnë me qetësi dhe në mënyrë racionale. Ajo theksoi se nuk vlerëson se eskalimi i dialogut duhet ta ndalojë ose anulojë progresin e vendit drejt Bashkimit Evropian.

“Njerëzit në këtë shtet çdo ditë mund t’i shohin këto konflikte dhe eskalimi tek një pjesë e dialogut që jemi duke e dëshmuar midis atyre në Sofje dhe këtyre këtu. Mendoj se është me rëndësi kritike këto bisedime të qetësohen, liderët nga të dyja anët e kufirit të mund të diskutojnë me qetësi dhe në mënyrë racionale, për atë se cila është rruga përpara, lidhur me disa prej këtyre problemeve që i kemi parë midis individëve dhe bashkësive të ndryshme. Kjo është e rëndësisë kritike. Por, kjo a duhet ta ndalojë ose madje edhe ta anulojë progresin drejt BE-së? Nuk mendoj se duhet”, ka thënë  ambasadorja e SHBA-së në “Tellma”.

Nga ana tjetër, presidenti Stevo Pendarovski dje në konferencën për shtyp pas seancës së Këshillit të Sigurisë, duke folur për gjendjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, theksoi se nuk sheh bazë për veto të re nga Sofja.

“Nuk mund ta di se çfarë do të bëjë pala bullgare. Çdo shtet i merr vendimet e tij në mënyrë sovrane, autonome. Edhe pse të jem i sinqertë, nuk shoh ndonjë bazë për një veto të re. Kështu që nuk mund ta di. Unë nuk mendoj kështu. Shpresoj që të mos shkojnë në atë drejtim, sepse të gjithë e dini se çfarë po them. E dini se po flasim për provokatorë që e bëjnë këtë”, theksoi presidenti, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse është e mundur një veto e re bullgare.

Negociatat janë hapur por nuk kanë filluar, varen nga ndryshimet Kushtetuese, kthimi vetos bullgare kthen vendin në pikën zero-

Përveç ndryshimit kushtetues, propozimi francez bën pjesë të kornizës së negociatave me BE marrëveshjet bilaterale të RMV me Greqinë dhe Bullgarinë. Në pikën 5 të Kornizave Negociuese që shoqërojnë propozimin francez përfshihet parashikimi se përparimi i negociatave do të përcaktohet nga progresi i RMV në përgatitjen për anëtarësim. Ky progres do të matet specifikisht, ndër të tjera, me “përkushtimin ei Maqedonisë së Veriut për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim më të ngushtë rajonal, duke përfshirë edhe arritjen e rezultateve të dukshme dhe zbatimin e marrëveshjeve bilaterale me vullnet të mirë, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e vitit 2017 për Marrëdhënie të Mira Fqinjësore me Bullgarinë .”

Zyrtarisht, Bashkimi Evropian shpalli hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 19 Korrik 2022. Kjo erdhi 17 vite pasi Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat, dhe 13 vite pas rekomandimit fillestar të Komisionit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit me RMV. Në fjalimin e saj të 19 Korrikut, von der Leyen foli për “durimin strategjik, me bollëk” të treguar nga dy shtetet. Por edhe sa durim strategjik do t’u duhet të vazhdojnë të tregojë Republika e Maqedonisë së Veriut?

Kujtojmë që, Maqedonia e Veriut, aktualisht ndodhet në procesin e shqyrtimit të ligjeve të Bashkimit Evropian, në të cilin një vend familjarizohet me legjislacionin e BE dhe detyrimet që ato nënkuptojnë, ndërsa, në të njejtën kohë Komisioni Evropian ekzaminon nivelin e përgatitjes së tij. Ky proces është hapi i parë në procesin më të gjatë të negociatave të anëtarësimit.

Prandaj, tani në këtë fazë është shumë e rëndësishme që të ruhen marrëdhëniet fqinjësore me Bullgarinë që kanë qenë edhe pengesa kryesore ndër vite që bllokonte Maqedoninë e Veriut drejtë anëtarësimit në BE. Tani kur kjo bllokadë është hequr, dhe RMV është kushtëzuar për të bërë ndryshimet Kushtetuese që pakicat bullgare të futen si pjesë integrale në Kushtetutën e vendit, kjo sipas propozimit francez që kanë pranuar dyja shtet. Dhe, tani prishja e marrëdhënieve prish punën e arritur deri më tani. /Zhurnal.mk

Related posts

Pesë vjet pa Adem Demaçin

Gazetamax.mk

Stabilizim te patundshmëritë, por çmimet janë për 20% më të larta

Gazetamax.mk

Mariçiq: Maqedonia e Veriut e ka Greqinë si partner dhe mbështetës të fortë në rrugën evropiane

Gazetamax.mk