Pushteti dhe opozita me akuza të ashpra dhe qëndrime të kundërta në debatin në komision në Kuvend për rishikimin e dytë të Buxhetit për këtë vit. Për opozitën, ndryshimet e shpeshta të projeksioneve buxhetore janë dëshmi e planifikimit të pasuksesshëm ekonomik dhe largimit nga konsolidimi fiskal. Për pushtetin, rishikimi i buxhetit është harmonizim i domosdoshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve me rrethanat e ndryshuara ekonomike, pa rritje të deficitit, gjë që siguron stabilitet dhe vazhdimësi të projekteve. Deputetët kanë qëndrime të kundërta lidhur me atë se kush po bën gjithçka dhe kush i ka rrënuar gjendjet në ekonomi, shëndetësi, sektorin social, paga dhe standardin jetësor të qytetarëve.
-Para nesh kemi rishikimin e dytë të Buxhetit për këtë vit, një dokument që nuk përfaqëson një përshtatje të zakonshme kozmetike apo teknike, por një pranim zyrtar të paaftësisë, panikut në arkën shtetërore dhe planifikimit joreal ekonomik nga ana e kësaj Qeverie. Rishikimi i dytë i buxhetit brenda vetëm disa muajsh është një alarm që tregon se anija shtetërore lundron pa busull dhe është një pranim klasik i jostabilitetit sistemik në planifikimin fiskal. Dhe ky është një disfatë e pastër fiskale në letër, deklaroi Jovanka Trençevska, deputete e LSDM-së.
-Detyrimi ynë nuk është vetëm të miratojmë buxhetin ose rishikimin e tij. Detyrimi ynë është të sigurojmë që paratë publike të shpenzohen me përgjegjësi, në mënyrë transparente dhe në interes të qytetarëve. Çdo denar nga buxheti duhet të ketë një qëllim dhe arsyetim të qartë. Ky rishikim i buxhetit është zgjedhje e përgjegjësisë përballë populizmit, e stabilitetit përballë pasigurisë fiskale dhe e rezultateve konkrete përballë premtimeve boshe. Prandaj, do ta mbështes, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Me rishikimin e dytë të Buxhetit për këtë vit, shkurtohen nga rreth 86 milionë euro si në anën e të ardhurave, ashtu edhe në anën e shpenzimeve. Deficiti mbetet 4,1 për qind e Bruto Prodhimit Vendor. Rritja e BPV-së është projektuar në 3,5 për qind, ndërsa inflacioni në 3,8 për qind. Debati në komision zgjat më së shumti 10 ditë, gjatë të cilave duhet të shqyrtohen edhe më shumë se 120 amendamente të paraqitura për propozim-rishikimin e Buxhetit.
Burimi:TV21
