GazetaMax
Lajme

RMV, alarme për bomba në 31 shkolla në Shkup, MPB po kryen kontrolle

Denoncime për vendosje të bombave sot në mëngjes arritën në adresat elektronike të 31 shkollave në Shkup, informoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Zyrtarët e policisë kanë dalë menjëherë në terren pas marrjes së denoncimeve dhe po vijojnë kontrollet antiterroriste, transmeton Portalb.mk.

“Sot (01.03.2023) deri në ora 08:20 në MPB është raportuar se në adresat elektronike të 31 shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të mjetit shpërthyes. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, nga punonjësit e policisë janë marrë masat për evakuimin e sigurt të objekteve dhe po vijojnë kontrollet antiterroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rasteve”, thuhet në informacionin e MPB-së.

Nga atje nuk tregojnë për cilat shkolla bëhet fjalë, por sipas informacioneve të “360 gradë”, raporte janë pranuar në adresat elektronike të shkollave në komunat Qendër, Aerodrom, Karposh dhe Kisella Vodë.

Raportimet e sotme jozyrtarisht kanë mbërritur në shkollat ​​e mesme “Nikolla Karev”, “Orce Nikollov”, “Josip Broz Tito”, “Rade Jovçevski Korçagin”, shkollat ​​fillore “Goce Dellçev”, “Hristian Todorovski Karposh” dhe “Dimitar Miladinov”.

Kërcënimet e gjoja bombave të vendosura arritën në orët e para mesimore.

Nuk ka informacion nëse nxënësit do të vazhdojnë mësimin në distancë sot, gjegjësisht online.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka rekomanduar që shkollat ​​kur marrin kërcënim për bombë të organizojnë mësime online në vend që të pezullojnë plotësisht mësimin për atë ditë.

Për të mos humbur mësimet, nxënësit duhet të hyjnë online për një orë, për aq kohë sa duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, për të ndjekur mësimin.

Kjo është dita e tretë me radhë që në adresat elektronike të shkollave dërgohen alarme për bomba. Dje, numri i përgjithshëm i kallëzimeve të marra pas përfundimit të kontrolleve nga MPB ishte 45, ndonëse informacionet fillestare ishin se bëhej fjalë për 39 shkolla. Të gjitha kërcënimet janë dërguar në adresat elektronike të shkollave në kryeqytet, nga të cilat 23 të mesme dhe 22 fillore. Pas kontrolleve antiterroriste u konstatua se bëhej fjalë për kërcënime të rreme.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Related posts

Nesër në Parlament dorëzohet propozimi që Penov të emërohet ministër i Vetqeverisjes lokale

Gazetamax.mk

Poliklinika në Saraj/ Bexheti: Ishte premtim i ynë dhe pikë prioritare

Gazetamax.mk

Aksident në Dragash, rrokulliset vetura

Gazetamax.mk