Numri i viktimave nga shpërthimi i një makine në lagjen e Delhit të Vjetër, një zonë e njohur turistike e kryeqytetit indian, është rritur në 13, sipas mediave indiane.
Sipas të dhënave të fundit, 24 persona të tjerë janë plagosur, ndërsa më herët raportohej për tetë të vdekur.
Kryeministri indian Narendra Modi ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe të plagosurve, duke theksuar se ka diskutuar situatën me ministrin e Punëve të Brendshme Amit Shah dhe me zyrtarë të tjerë të lartë.
Shpërthimi ndodhi të hënën në mbrëmje pranë Fortesës së Kuqe, një nga monumentet historike më të vizituara në Nju Delhi. Shkaku i ngjarjes mbetet ende i paqartë, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një aksident apo një akt të qëllimshëm.
Sipas Ambasadës ruse në Indi, bazuar në informacionet paraprake, nuk ka shtetas rusë mes viktimave apo të plagosurve.
Pas shpërthimit, autoritetet shpallën gjendje të lartë gatishmërie në Nju Delhi, në shtetin fqinj Uttar Pradesh, si dhe në metropolin e Mumbait. Masat e sigurisë janë shtuar edhe përgjatë kufijve të Indisë me Pakistanin dhe Bangladeshin.

