GazetaMax
Lajme

Rritja e kamatave rrezikon shlyerjen e kredive

Shkup, 6 Tetor – Bankat në Maqedoninë e Veriut nuk e përjashtojnë mundësinë e rritjes së normës së interesit që vlerësohet të jetë një nga masat kryesore për përballje me inflacionin që ka arritur në 16.8 për qind.

Nga banka nuk sqarojnë se kur dhe sa mund të jetë rritja që do të ishte e dyta gjatë këtij viti, që mund të sjellë edhe rritjen e kamatave të kredive.

Në muajin mars normat bazë të interesin u rritën nga 1.25 në 3 për qind.

Sipas qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, rritja e normës së interesit dhe e kamatave do të çojë në rritjen e kostos së jetesës, përkatësisht në rritjen e çmimeve.

“Nëse bankat i rrisin kamatat sigurisht se qytetarët këtë do ta ndiejnë në shpinën e tyre pasi kjo do të ndikojë në uljen e buxhetit të tyre familjar”, thotë Ajdin Musliu, i punësuar në sektorin privat.

“Jeta është bërë shumë e shtrenjtë, do të bëhet edhe më keq, andaj jemi të detyruar të kursejmë, kemi hequr dorë edhe nga udhëtimet për shkak të shtrenjtimit të naftës”, shprehet Stojan Acovski, pensionist.

“Rritja e kamatave do të ndikojë edhe në rritjen e inflacionit. Me siguri se kjo do të ndodhë dhe nuk është një gjë e mirë”, thotë Naser Bakiu, tregtar.

“Kursejmë në gjithçka që të mund të mbulojmë shpenzimet për ushqim dhe detyrimet tjera, përfshirë edhe kamatat. Kursejmë për ushqim, për veshmbathje, kursejmë edhe energjinë, kursejmë gjithçka që mundemi”, thotë Vesna Georgieva, shitëse.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, qytetarët dhe kompanitë mbajnë në banka rreth 7.5 miliardë euro. Nga ana tjetër, kreditë kapin vlerën e 6.6 miliardë eurove. Vetëm qytetarët kanë gati 1.2 miliard euro borxh për kredi për banesa dhe gati 1.8 miliard euro për kredi për konsum të përditshëm.

Ekspertët, ndërkohë, kërkojnë rritjen e normave të interesit që të mund të luftohet inflacioni, pasi në të kundërtën, humbjet e qytetarëve, sipas profesorit Trajko Sllavevski, do të jenë të konsiderueshme.

“Normat kryesore të interesit duhet të jenë dyshifrore për ta mundur inflacionin. Me norma të larta inflacioni dhe norma të ulëta interesi, kursimtarët po humbasin para, sepse vlera e tyre ulet me 17 për qind në vit, dhe ata marrin një normë interesi më pak se 1 për qind në vit. Ai thotë se goditja e ekonomisë nga normat e larta të interesit, është çmimi që duhet paguar në ekonomi”, vlerëson Sllavevski.

“Mbajtja e një norme të lartë inflacioni nuk i sjell dobi biznesit. Në kushtet e inflacionit, planifikimi është pothuajse i pamundur”, thotë ai.

Por, nga Banka Popullore thonë se shumica e kredive ekzistuese kanë norma të ndryshueshme të interesit, kështu që nëse rriten shumë normat e interesit, qytetarët nuk do të mund t’i paguajnë kreditë, gjë që do të rrezikonte stabilitetin financiar.

Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut pret një ulje të inflacionit vitin e ardhshëm.

Në raportin e fundit, Banka Botërore paralajmëroi se ekonomia e Maqedonisë së Veriut mund të hyjë në stagflacion, përkatësisht të ketë rritje të ngadaltë, e ndjekur nga norma të larta të inflacionit.

Related posts

Arsovska do të paditet nga ish sekretari i saj

Gazetamax.mk

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO me ndikim edhe në Ballkan

Gazetamax.mk

Jeta në Gjermani është bërë jashtëzakonisht e shtrenjtë, parashikim i “frikshëm” për rritje të çmimeve

Gazetamax.mk