Një fotografi, një “share” dhe një sinjal që nuk duhet anashkaluar!
Një fotografi e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka marrë vëmendje edhe përtej komunikimit zyrtar të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Fotografia, e publikuar fillimisht nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup, paraqet ministrin Agon Ferati në takim me Nicole Varns, ushtruesen e detyrës së shefes së Misionit të SHBA-së në Maqedoninë e Veriut. Takimi u zhvillua më 23 korrik dhe në fokus ishin bashkëpunimi me SHBA-në, institucionet gjithëpërfshirëse, besimi ndërmjet bashkësive dhe perspektiva euroatlantike e vendit.

Por ajo që i jep një dimension tjetër kësaj fotografie është fakti se postimi i Ambasadës amerikane sot është shpërndarë nga Dr. Judithanne Scourfield McLauchlan, profesoreshë amerikane e Shkencave Politike dhe themeluese e Qendrës për Angazhim Qytetar.
McLauchlan nuk është vetëm një akademike që merret në mënyrë të përgjithshme me politikën ndërkombëtare. Ajo ka qenë e angazhuar për vite me radhë në çështjet e Ballkanit dhe diplomacinë amerikane, duke shërbyer si këshilltare e presidentit amerikan Bill Clinton si dhe për disa presidentë të tjerë amerikanë, në kuadër të angazhimit të saj profesional në politikën e jashtme dhe zhvillimet në Ballkan.
