Wednesday, April 15, 2026

Lajmi në kohë reale

Shefi i mbrojtjes së Ugandës nuk tërhiqet: kërkon 1 miliard dollarë nga Turqia dhe martesë me “gruan më të bukur turke”

Shefi i mbrojtjes së Ugandës dhe djali i presidentit të vendit, Muhoozi Kainerugaba, ka kërkuar 1 miliard dollarë nga Turqia dhe martesë me “gruan më të bukur” në Turqi, si kompensim për, sipas tij, kontributin e Ugandës në sigurinë rajonale, duke kërcënuar edhe me ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, raportojnë mediat.

Në një seri postimesh në rrjetin social “X”, Kainerugaba paralajmëroi se Uganda do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike dhe do të mbyllë ambasadën turke në Kampala brenda 30 ditësh nëse kërkesat nuk plotësohen.

Ai pretendoi se Turqia përfiton nga projektet ekonomike dhe infrastrukturore në Mogadishu, përfshirë portet dhe aeroportet, ndërsa Uganda – sipas tij – mban prej vitesh barrën kryesore të sigurisë në rajon.

Kainerugaba deklaroi se Uganda duhet të marrë 1 miliard dollarë si “dividend sigurie”, duke paralajmëruar se në të kundërt do të mbyllet ambasada turke.

Në të njëjtat postime, ai bëri edhe një kërkesë kontroverse, duke i kërkuar Turqisë “t’i japë gruan më të bukur të vendit” që ai të martohet me të.

Ai paralajmëroi se marrëdhëniet mes Ugandës dhe Turqisë nuk duhet të reduktohen në “lojëra në rrjetet sociale”, por njëkohësisht la të hapur mundësinë e ndërprerjes së menjëhershme të lidhjeve diplomatike.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve ugandezë të shmangin udhëtimet drejt Turqisë për arsye sigurie.

Në postimet e tij, ai shprehu edhe mbështetje për Izraeli, duke deklaruar se është i gatshëm të dërgojë 100.000 ushtarë ugandezë për të mbrojtur Tokën e Shenjtë.

Kjo nuk është hera e parë që Kainerugaba tërheq vëmendje me deklarata të pazakonta. Në vitin 2022, ai kishte ofruar, sipas tij, 100 lopë për martesë me kryeministren italiane Giorgia Meloni.

Latest Posts

Mos e humb lajmin