“Gjuha jonë sa e mirë, Sa e ëmbël, sa e gjerë, Sa e lehtë, sa e d’lirë, Sa e bukur, sa e vlerë.”
Krahas këtyre vargjeve të rilindasit Naim Frashërit, kemi nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftojmë se shoqata “Jehona e Malësisë” do të organizojë orë mësimore profesionale të gjuhës shqipe në ambientet e shoqatës sonë. Me anë të kësaj ftojmë të gjithë të interesuarit, të gjithë prindërit dhe anëtarët e vlefshëm të komunitetit tonë që t’i angazhojnë dhe përfshijnë fëmijët e tyre në këtë projekt të madh atdhetar, frytet e të cilit do të shihen më së miri në të ardhmen e afërt.
Në aktivitetet tona të deritanishme, kemi vënë re një nivel të lartë të vetëdijës kombëtare tek të rinjtë tanë, të cilët ruajnë me kujdes dhe përkushtim pasuritë kombëtare shqiptare. Të rinjtë shqiptarë në SHBA, megjithëse shumica e tyre janë përfaqësues të brezit të tretë dhe të katërt, gjithmonë me krenari e theksojnë identitetin e tyre kombëtar, si dhe emrin dhe mbiemrin e tyre shqiptar. Kjo na nxiti, që të udhëhequr nga ideali kombëtar, të japim një kontribut të drejtpërdrejtë në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe shkrimit tonë shqip.
Qëllimi ynë është që tek çdo fëmijë dhe në çdo shtëpi në komunitetin tonë të jehojë gjuha e bukur shqipe. Prandaj, të dashur bashkatdhetarë, përmes rrjeteve sociale të shoqatës sonë, regjistroni fëmijët tuaj për të mësuar dhe përsosur gjuhën shqipe në kushtet më moderne në ambientet zyrtare të shoqatës “Jehona e Malësisë”. Së bashku po ndërtojmë një të ardhme ku do të lulëzojnë vlerat dhe traditat shqiptare!
Nëse keni pyetje shtesë në lidhje me aplikimin, procesin e mësimit dhe të gjitha informacionet tjera, mund të kontaktoni personat e mëposhtëm:
Dedë Dushaj-sekretarë
tel. (248) 688-8685
Zef Berishaj-nënkryetar
tel. (586) 615-2836
Simon Sinishtaj-nënkryetar
tel. (586) 839-0142
Beku Gjelaj-arkatarë
tel. +1 (586) 292-4204
Kolë Dedivanaj-anëtarë bordi
tel. (586)295-9007
Ndjekja e këtyre orëve mësimore do jenë, falas!
Bashkohuni me ne!
Shoqata “Jehona e Malësisë”