​Shoshtariq publikon listën e hendbollisteve për Trofeun e Kombeve

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në hendboll, Nenad Shoshtariq, ka publikuar listën e lojtareve që do të jenë pjesë e ekipit përfaqësues në garën IHF Nations Trophy, e cila do të mbahet në Kranevo të Bullgarisë, nga 25 deri më 29 nëntor.

Kosova nuk do të paraqitet me ekipin e kompletuar në këtë turne, pasi për shkak të lëndimeve dhe obligimeve të ndryshme do të mungojnë disa prej hendbollisteve që ishin pjesë e ndeshjeve ndaj Estonisë muajin e kaluar.

Në mesin e lojtareve që nuk do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit janë Mirela Gjikokaj, Merlinda Qorraj, Elisa Mulaj, Melisa Mulaj, Dafina Mustafa, Elisa Mirdita, Erza Dreshaj dhe Venera Kafexholli.

Ndërkohë, në Kombëtaren A për herë të parë është ftuar Agnesa Hysaj nga Ferizaj. Pas një periudhe të gjatë, në ekip rikthehet edhe Pranvera Ferataj e Istogut, ndërsa janë ftuar sërish edhe Elsa Kongjeli (Ferizaj), Orgesa Gola dhe Alma Nivokazi (Shqiponja).

Grumbullimi i hendbollisteve është paraparë të hënën në Kranevo të Bullgarisë.

Në IHF Nations Trophy, Kosova bën pjesë në Grupin A së bashku me Belgjikën dhe Rusinë, ndërsa në Grupin B janë Bullgaria, Armenia dhe Bjellorusia.

Ndeshjen e parë, përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë më 26 nëntor kundër Belgjikës, kurse një ditë më vonë do të përballet me Rusinë.

Më 28 nëntor janë në program gjysmëfinalet dhe ndeshjet për vendin e pestë, ndërsa më 29 nëntor zhvillohen ndeshja për vendin e tretë dhe finalja.

Kjo garë paraqet një tjetër mundësi të rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës që të vazhdojë ngritjen në arenën ndërkombëtare, pas suksesit të arritur muajin e kaluar, kur kaloi raundin e parë kualifikues për Kampionatin Botëror 2027.

Burimi: botasot.info