GazetaMax
Ballina

Shpresa Memedi shqiptarja e sukseshme në Zvicër që shkëlqen në punë dhe stil

Shpresa Memedi është një nga shqiptaret e suksesshme të Diasporës, meqë suksesi i saj në fushën e biznesit është i admirueshëm.
Një grua vizionare, e guximshme, e bukur.
E lindur në Maqedoninë e Veriut, por fëmijërinë dhe rininë i ka kaluar në Zvicër.
Shpresa është e apasionuar pas sportit dhe që në fëmijëri ka luajtur tenis, madje në mënyrë profesionale.
Dhe, falë talentit, ka pasur perspektivë të mirë për një karrierë të suksesshme në këtë sport.
Por, fatkeqësisht, ëndrra nuk iu bë realitet, meqë u përfshi në një aksident që e la të paaftë të luajë tenis.
Por, jeta kishte rezervuar suksese të tjera për Shpresën. Ajo sot është grua që shkëlqen në biznes.

Shpresë, si mund të të njohim më shumë?
– Jam e lindur më 1 Maj 1986, në Gostivar. Fëmijërinë dhe rininë i kam kaluar në Zvicër, konkretisht në komunën Bischofszell.
Për momentin jetoj në komunën Bottighofen, në liqenin e Konstancës.

Cili është kujtimi që ende qëndron i freskët nga fëmijëria juaj?
– Sa më kujtohet, fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. Si familje shqiptare në migrim, në shtet të huaj dhe me kulturë të ndryshme nga e jona, megjithatë, ia dola të ambientohem në shoqëri, si në shkollë ashtu edhe në jetën e përditshme.

A je sot ajo që ke dashur të jesh gjithmonë?
– Pa dyshim, po. Kisha vizion që në moshë të re, sepse gjithmonë e kisha një ide të qartë për jetën që doja të bëja.

Si e kujton rininë e hershme, ëndrrat e asaj kohe?
– Kam qenë entuziaste për tenis që në fëmijërinë time të hershme…

Pra, jeni marrë me tenis, sport jo shumë shqiptar, apo…?
– Në moshën 10-vjeçare shkova në turne tenisi. Pikërisht në ato evenimente fitova paratë e mia të para me sport. Dhe, falë talentit tim, kam pasur perspektivë të mirë për një karrierë në këtë drejtim.

Cilat ishin arritjet tua në tenis?
– Arrita të marrë pjesë në disa evenimente, në të cilat ia dola me sukses dhe fitova paratë e mia të para në këtë sport.

Pse nuk e vazhdove?
– Fatkeqësisht, kjo ëndërr m’u shkatërrua, meqë isha e përfshirë në një aksident, e që më la të paaftë të luaja tenis.

Mund të flasim pak për shkollimin tuaj?
– Shkollimin e fillova në një trajnim klasik, si nëpunëse tregtare në një zyrë revizori.

Jeni specialiste e financave dhe kontabilitetit. Pse kjo zgjedhje?
– Më pas fillova trajnimin e mëtejshëm për t’u bërë specialiste e financave dhe kontabilitetit, duke përfituar një certifikatë federale.
Për më tepër, vendosa të marrë pjesë në disa kurse të mëtejme trajnimi në shkollën teknike për ekspertë në konsulencën e besimit dhe menaxhimit.

Ju njohin dhe u përshkruajnë si femër model, lidere. Ke qenë gjithmonë kështu?
– Edhe kur isha nxënëse, më pëlqente ta drejtoja punën ekipore. Për mua, e veçanta e një pozicioni të tillë është se mund të nxjerrë në pah dhe të promovoj pikat e forta individuale të çdo personi. Për më tepër, isha në gjendje të përballoja me shumë përgjegjësi dhe të tregoja sjellje të përshtatshme. Dhe, gjatë kohës si praktikante, ndihesha sikur l të isha pronare e kompanisë. Prandaj, edhe në këtë pikë ndjeva nevojën për të bërë një ndryshim. Gjithmonë kam dashur ta avancoj kompaninë time të trajnimit me ide kreative. Për shembull, duke dizajnuar në mënyrë inovative softuerin tonë të sistemit ose duke krijuar struktura të reja të kompanisë. Këto cilësi rezultojnë në faktin se menjëherë pas përfundimit të shkollimit më dhanë një pozicion menaxhimi. Pas një kohe të shkurtër ma lejuan të merrja mandatin e menaxhuesit dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, mora timonin e kompanisë. Përveç kësaj, kam qenë dhe jam e paepur për projekte të reja. Edhe atëherë, sapo isha në gjendje t’i qasja një detyre si një çështje rutinë, kërkoja detyra të reja.

Sot, cila është, saktë, puna juaj?
– Drejtoj firmën “360 Clean & More”, e cila merret me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve shtëpiake, si dhe të mjeteve lundruese. Jam aksionare në një firmë, e cila merret me shitblerje dhe konsulencë.

Cili është suksesi yt më i madh në fushën profesionale?
– Suksesi im më i madh në fushën profesionale është që jam zgjedhur një ndër tri gratë më të suksesshme në menaxhimin e firmave në Kantonin Turgau.

Formula e suksesit?
– Jam ambicioze në punë, e pavarur, vizionare. Suksesin time e kam arritur me shumë sakrifica në punë dhe më pëlqen të rrezikoj derisa ta arrij qëllimin e caktuar.

Kujt do i falënderoheshe sot?
– Së pari, u falënderohem të gjithë punëtorëve, pa të cilët nuk do isha këtu ku jam.
Dhe, në fund, nënës dhe djalit tim, Dijarit.

Ju, ndonëse jeni shumë e angazhuar, dukeni përherë bukur. A ka rëndësi pamja e jashtme në jetën tuaj?
– Normalisht, kur kam takime biznesi ose kur udhëtoj jashtë shtetit për takime, i kushtoj vëmendje të jashtëzakonshme pamjes së jashtme. Ndërkaq, në përditshmëri jam shumë e thjeshtë, meqë edhe merrem me sport.

Shpresë, cilat janë elementet që i duhen një femre për të qenë e suksesshme?
– Të jetë e pavarur, e fortë mendërisht, të mendoj pozitivisht, të mos ketë frikë dhe të rrezikojë.

Po, jeta juaj private?
– Merrem me sport, udhëtoj shumë dhe planifikoj që vendbanimi im i tretë të jetë Ibiza.

Personi pa të cilin nuk mundeni?
– Dihet, djali im, Dijari.

Related posts

Ushqimet më të mira për të ngrënë kur jeni të infektuar me COVID-19 dhe cilat ushqime duhet të shmangni

Gazetamax.mk

Trajtimet kundër stresit nisin nga ushqimi

Gazetamax.mk

Lani rrobat me aspirinë, rezultatet mahnitëse

Gazetamax.mk