Shqipëria shënon rritje të numrit të pasagjerëve me avion

Rreth 4,8 milionë pasagjerë udhëtuan me linja ajrore në Shqipëri gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 23,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Instituti i Statistikave bëri të ditur se, në tremujorin e tretë 2026, kanë udhëtuar me linja ajrore 4.799.773 pasagjerë, nga 3.892.761 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton ATSH, përcjell KosovaPress.

Ndërkohë edhe transporti i mallrave dhe pasagjerëve me rrugë ajrore shënoi rritje gjatë tremujorit të tretë 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në transportin ajror, gjatë tremujorit të tretë 2026, kanë operuar 35 shoqëri ajrore të huaja. Në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 153.664 avionë, nga të cilët 81,7 % të tyre e zë numri i mbikalimeve.

Volumi i mallrave që kanë hyrë dhe kanë dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 732 tonë, nga të cilat 76,2 % janë mallra që kanë hyrë dhe 23,8 % kanë dalë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2025, volumi i mallrave paraqitet me rritje 2,5 %.

Burimi:botasot.info