GazetaMax
Lajme

Si mbahet propaganda? Lexoni pjesen 10 te Kapitullit te pare 10. Fuqia e Propagandës ose burgu i përbashkët i mendjes

Si mbahet propaganda? Lexoni pjesen 10 te Kapitullit te pare 10. Fuqia e Propagandës ose burgu i përbashkët i mendjes.

Në doktrinën e saj të luftës me qytetarin, fitorja më e madhe e Regjimit nuk është shtypja e trupit, kjo është e lehtë, sepse trupi është i brishtë. Fitorja më e madhe është të nënshtrojnë mendjen e tij: aftësinë për të arsyetuar, për të ngritur pikëpyetje, për të folur me ndërgjegjen.

Autokracia, në jetën e përditshme, mbijeton falë manipulimit të butë të masave, të ushqyera çdo orë nga propaganda e fasadës. Ajo depërton në nënndërgjegjen e qytetarëve duke injektuar indiferencë, pafuqi dhe një gjendje tronditjeje të përhershme. Kur mendja pushtohet, trupi nuk ka më forcë të reagojë. Kjo është arma më e sofistikuar e regjimit, ka kërkuar vite të tëra që të vendoset. Është një burg i padukshëm i trurit.

Parimi i parë: Përçarja e përhershme

Në manipulimin e masave Regjimi mbështetet dhe ushqen në të njëjtën kohë dy reflekse të egra që kemi trashëguar pa u emancipuar nga komunizmi: xhelozia për tjetrin dhe instinkti i armikut të brendshëm. Propaganda në këtë drejtim duke përçarë në mënyrë të përhershme njerëzit krijon aleanca me gjeometri të ndryshueshme me grupe interesi ku secili prej tyre, pa e ditur dhe në momente të ndryshme, bëhet mjeti përçues i propagandës. Pra manipulohet që të manipuloj.

Metoda është e thjeshtë por e pamëshirshme: pushteti nuk vepron mbi një kategori si trup i vetëm, sepse kjo do të prodhonte rrezikun e solidaritetit. Përkundrazi, ai godet pjesë-pjesë, duke i izoluar, duke i bërë të duket sikur janë “të veçantë” dhe duke i vendosur njëri përballë tjetrit.

Mjafton të kujtojmë rastet konkrete: goditja e mediave dhe gazetarëve, prishja e shtëpive të banorëve të Astirit, prishja e bizneseve të Thethit, goditja e përfaqësuesve të opozitës.

Sa herë kemi dëgjuar “Mirë ja bën” duke nxjerr kështu në pah dy instinktet e trashëguara. Herë nga xhelozia, herë nga lakmia, herë nga urrejtja, çdo arsye duket sikur të jetë e duhura. Në këtë mënyrë, grupe të ndryshme i japin legjitimitet veprimeve të qeverisë e cila nuk i kryen ato për drejtësi por për interesa të saja kriminale. Në këtë mënyrë gjithashtu, krijohen kushtet e nënshtrimit përpara forcës shkatërruese të Regjimit e cila të gjen të vetëm, sepse ti vet, i le të tjerët të vetëm.

Parimi i dytë: Gjithmonë një justifikim

Regjimi kujdeset që çdo veprim i tij, sado i paligjshëm të ketë një pjesë që mund të duket pozitive dhe e mbrojtshme në kushtet e kontekstit shqiptar.

Një nga truket më tinzare të propagandës është artifikimi i justifikimit. Çdo veprim, edhe më i paligjshmi, shoqërohet me një mbulesë të hollë, me një “copë të kapshme” që mjafton për të thënë: “po, është e gabuar, por…”. Kjo “por” është armë e fuqishme e regjimit, sepse nuk e shfajëson, por e justifikon të keqen, duke e bërë të përballueshme për qytetarin.

Kanë vjedhur “por” kanë bërë X gjë. Kanë prishur shtëpitë “por” na duhej ajo rrugë. Kanë dhunuar “por” të paktën u arrestua dikush. Kanë përvetësuar “por” të paktën është e bukur. Këto copëza justifikimi janë si thërrime të hedhura në tokë. Regjimi i hedh me kujdes, dhe qytetarët i mbledhin me padurim, sikur të ishin bukë në mes të një shkretëtire.

Në këtë mënyrë, propaganda i delegohet vetë popullit. pushteti prodhon copat e justifikimit, qytetarët i shpërndajnë. Dhe një shoqëri që mëson të justifikojë gjithçka, është një shoqëri që humbet fuqinë për të kundërshtuar diçka.

Në rrjetet sociale, në kafe, në debatet e përditshme, janë vetë qytetarët që përsërisin justifikimet, shpesh pa e kuptuar se janë bërë zëdhënës të regjimit. Kështu, regjimi nuk shfaqet më si agresor, por si një pushtet që “gjithmonë ka një arsye” që i bën të durueshme veprimet e saj.

Parimi i tretë: Relativizimi i së keqes

Përballë çdo ngjarjeje të keqe, propaganda vrapon jo për ta sqaruar, jo për ta ndëshkuar, por për ta relativizuar. Retorika është e parashikueshme: “Ndodh edhe jashtë, nuk është vetëm këtu, shihni sa keq është diku tjetër, bëhen edhe filma”.

Kjo është një teknikë e hollë: kur e krahason gjithmonë me më të keqen, e keqja jote e përditshme fillon të duket e durueshme. Kur çdo krim, korrupsion apo skandal kthehet në një “film” krahasimi me botën, qytetari humb aftësinë për t’u tronditur. Përsëritja, siç e kemi parë më parë, e bën të zakonshme. Shoku shndërrohet në shprehje shpatullash.

Në këtë mënyrë, pritshmëritë e njerëzve ulen gradualisht. Qytetari mësohet të mendojë se korrupsioni është i pandalshëm sepse është edhe në perëndim. Ai mësohet të pranojë dhunën, mafian sepse edhe në vendet e zhvilluara ka. Ai mësohet vrasjet, krimin e organizuar sepse jo vetëm që ka në çdo vend por bëhen edhe filma.

Relativizimi i së keqes është një helm i ngadaltë moral. Ai nuk të vret menjëherë, por e mpin shoqërinë. Pak e nga pak, qytetari nuk tronditet më, nuk reagon më. E keqja pushon së qenë problem, bëhet pjesë e natyrshme e realitetit.

Nëse e pranojmë këtë logjikë, atëherë asnjë qeveri nuk ka pse të ketë frikë për asgjë. Sepse gjithmonë do të ketë një shembull diku tjetër, një film, një krahasim. E keqja relativizohet, humbet rëndësinë e saj, dhe kështu pushteti fiton imunitet ndaj çdo kritike. Në të kundërt, asnjëherë nuk merren për shembull gjërat e mira që ndodhin jashtë për ti vendosur përpara të këqijave që ndodhin në Shqipëri.

Parimi i katërt: Shkenca e kontrollit

Në këtë regjim, propaganda nuk është as spontane, as rastësore. Ajo nuk lind nga emocionet e ditës, por projektohet si një shkencë më vete: shkenca e kontrollit. Fjalimet, reformat, vendimet kalojnë në përgjithësi përmes një filtri që i ngjan atij laboratorik. Një filtër të bazuar mbi sondazhe, baza të dhënash dhe testime të perceptimit publik.

Kundrejt asaj që mund të mendohet, Regjimi nuk gënjen verbërisht, por mat me kujdes dozën e gënjeshtrës, ashtu si një mjek që llogarit helmueshmërinë e një ilaçi: aq sa për të prodhuar efekt, por jo aq sa për të krijuar revoltë të menjëhershme.

Mjafton një shembull i thjeshtë: prishja e ndërtimeve pa leje. Nuk është se regjimi nuk mund ta kishte bërë dje, nuk është se nuk i shihte më parë jo. Ai vendo ta bëj në një moment të caktuar që të ketë impakt shoqëror pa krijuar pasoja negative politike. Ai vendos ta bëj sot që të flitet për te në mënyrë pozitive tek popullsia pa pësuar efektet negative nëse e bënte përpara zgjedhjeve.

Ky avantazh i përhershëm i regjimit buron nga fakti se ai nuk ka as ideologji, as moral, as shtyllë kurrizore që ta kufizojë. Aty ku një forcë me parime do të ndalej për të pyetur “a është e drejtë?”, regjimi pyet vetëm “a do të pranohet?”, “ a do më shërbejë?”. Kjo mungesë kufijsh moralë i jep gjithmonë një hap përpara kundërshtarit dhe e mbulon me një aureolë të rreme “talenti politik”.

Parimi i pestë: triptiku intensitet-ritëm-qendrueshmëri

Propaganda nuk është një mjet që funksionon me shpërthime të herëpashershme, si një fishekzjarr që ndriçon një moment e pastaj shuhet. Ajo është një puls i pandërprerë mbi jetën e qytetarit. Nëse do të mbështetej në fushata të veçuara dhe të pa koordinuara, ajo do të humbiste forcën e saj. Prandaj, triptiku intensitet – ritëm – qëndrueshmëri është çelësi i saj.

Pasi ke kapur vëmendjen e qytetarit, nuk duhet ta lëshosh asnjë çast. Çdo pauzë është rrezik. Çdo boshllëk krijon hapësirë për mendim kritik, për organizim kolektiv. Dhe kjo është pikërisht ajo që regjimi kërkon të shmangë.

Intensiteti është i pandërprerë. Prej më shumë se 12 vitesh, propaganda e regjimit ka funksionuar pa pushim, si një motor që nuk ndalon kurrë. Ajo është bërë pjesë e përditshmërisë, një zhurmë e vazhdueshme që shoqëron çdo moment të jetës publike. Nga mëngjesi në edicionet e lajmeve deri në darkë në rrjetet sociale, propaganda është gjithmonë aty: e pranishme, e ngarkuar, e përthithur.

Ritmi është po aq i rëndësishëm. Propaganda nuk është monotone. Ajo alternon mesazhet, gjen temën e ditës, shpik skandale për të mbuluar skandale, krijon spektakël aty ku nuk ka, shpërndan shpresë aty ku realiteti është dëshpërim. Është një ritëm që nuk lodh, sepse ndryshon format, por gjithmonë ka të njëjtin qëllim: mbajtjen e qytetarit brenda kurthit të vëmendjes.

Qëndrueshmëria është garancia e saj. Aty ku opozita shpesh shfaqet e përqendruar në çaste, e lodhur nga mungesa e rezultateve, propaganda e regjimit nuk dorëzohet kurrë. Ajo është këmbëngulëse, monotone në mesazh, këmbëngulëse në përsëritje, e tillë sa në fund krijon atë që është arma më e fortë: normalitetin e rremë.

Parimi i gjashtë: Armiku i madh rreth të cilit rrotullohet gjithçka

Asnjë regjim nuk mbijeton gjatë pa një armik të madh. Për të mbuluar dështimet, për të justifikuar korrupsionin, për të devijuar zemërimin popullor, propaganda ka nevojë për një figurë rreth së cilës të qendërzojë gjithë rrëfimin e saj. Në rastin tonë, ky armik i madh është personalizuar në një fjali të thjeshtë por të fuqishme: “Fajin e ka Saliu”.

Ky slogan nuk është thjesht një shpikje gjuhësore, është një strategji mbijetese me katër funksione kryesore:

Shpjegim universal: çdo problem shpjegohet me një arsye. Në vend që pushteti të japë llogari për të tashmen, e kanalizon gjithçka drejt një “burimi origjinal” të së keqes. Sa herë flitet për qeverinë bëhet një sulm i koordinuar kundër opozitës duke ushqyer e idenë e rreme se të gjithë janë njësoj.

Mobilizim i ndjenjave: armiku i madh nuk shërben vetëm për të justifikuar dështimet, por edhe për të mbajtur gjallë një emocion të fortë tek militantët e vet. U jep një kauzë të përhershme, një arsye për të dalë në betejë, për të ndjerë se janë në anën e “mirë” kundër një e keqeje absolute.

Neutralizim i kundërshtarit: kur çdo debat, çdo kritikë, çdo argument lidhet automatikisht me figurën e armikut të madh, atëherë kundërshtari real (në rastin tonë opozita e sotme) humbet hapësirën e vet. Çdo zë që ngrihet kundër regjimit shpallet si zgjatim i armikut të madh.

Rishkrimi i historisë: krijimi i këtij armiku shërben gjithashtu për të fshirë krahasimin në Historinë e vendit. Duke e vendosur Sali Berishën si kundërshtar Regjimi bën atë që i ka mësuar komunizmi, rishkrimin e historisë. Duke e sulmuar atë sulmohen arritjet e qeverisjeve të tij të cilat pa asnjë dyshim, kanë qenë më të suksesshmet e Shqipërisë moderne.

https://www.facebook.com/photo/?fbid=24490191190608913&set=a.504390546282313

Related posts

Selami: Gazibaba me entuziazëm priti hapjen e Shtabit të AKI-së

Gazeta Max

Statistika tjera nga regjistrimi i popullsisë: 23,8% e popullatës në Maqedoni janë beqarë

Gazeta Max

Trageti humb kontrollin në mes të Liqenit të Ohrit

Gazeta Max