GazetaMax
LAJME

Siguria kibernetike, element kyç në mbrojtjen e secilit shtet

Shkup, 6 dhjetor – Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 103-të e Forumit global për ekspertizë kibernetike (Global Forum on Cyber Expertise – GFCE), organizatë në të cilën bëjnë pjesë dhe bashkëpunojnë qeveritë e vendeve më të zhvilluara në botë në temën e sigurisë kibernetike, organizata si OSBE, Banka botërore, KB, BE, Këshilli i Evropës, Interpoli dhe të tjera, si dhe oda ekonomike dhe kompani private të cilat punojnë në këtë temë, kumtoi zëvendëskryeministrja për politika për sundim të mirë, Sllavica Gërkovska në fjalimin në konferencën e 18-të ndërkombëtare e-Shoqëri.mk kushtuar “Rezistencës kibernetike për liri dhe siguri”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut me të gjitha ministritë dhe institucionet të cilat janë të përkushtuara në këtë sferë, në suaza të GFCE do të punojnë në katër tema: Politika dhe strategji, menaxhment të incidenteve dhe mbrojtje të infrastrukturës nga sulmet kibernetike, krimi kibernetik, kultura kibernetike dhe ndërtimi i kapaciteteve.

Njëkohësisht, informoi Gërkovska, javën e ardhshme, në bashkëpunim me E-governanceacademy, organizatë nga Estonia e cila i ndihmon proceset e transformimit digjital në shumë shtete, do të organizohet trajnim simulues për siguri kibernetike “Strategic Cyber security table-top exercise”, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga pothuajse të gjitha ministritë e Qeverisë dhe agjencitë qeveritare të cilat kanë kompetenca në pjesën e sigurisë kibernetike.

Gjithashtu, siç tha, ky trajnim simulues duhet të mundësojë përgjigje më të mirë të institucioneve qeveritare ndaj sulmeve të mundshme kibernetike, kërcënimeve që bëhen gjithnjë e më reale edhe në shoqërinë tonë, ndërkaq njëherit edhe të trajnojnë bartës të vendimeve gjatë sulmeve të këtilla.

Transformimi digjital i shoqërisë është proces që duhet të jetë gjithpërfshirës, të sigurohet konsensus i plotë, e me atë të sigurohet edhe vazhdimësia. Tha se në periudhën në vijim janë të fokusuar në vendosjen e letërnjoftimit elektronik, por gjithashtu se edhe si shoqëri duhet të punojmë në sigurinë kibernetike.

Ndaj sigurisë kibernetike, siç theksoi, nuk duhet të shohim si ndaj një shpenzimi, por si investim i cili nga njëra anë e mbron shtetin tonë dhe qytetarët tanë nga sulmet e jashtme, por nga ana tjetër mundëson edhe përforcim të besimit të qytetarëve në institucione dhe në sistem.

Sekretari shtetëror për mbrojtje, Vlladimir Ançev, duke folur për luftën në Ukrainë, krizën dhe zhvillimin e luftës jokonvencionale gjithashtu me sulme kibernetike si dhe rritjen e nevojës për shfrytëzim të teknologjisë, e rritë nevojën e vendit për vendosje të sistemit për mbrojtje kibernetike.

Jemi të vetëdijshëm, tha ai, për të gjitha sulmet kibernetike që i merr Maqedonia e Veriut për mbështetjen që ia jep Ukrainës.

Foli për atë që, mes tjerash, e ndërmerr ministria e Mbrojtjes lidhur me mbrojtjen kibernetike të vendit. Është krijuar ekip ushtarak për përgjigje të hapësirës kibernetike që për momentin i detekton nevojat për personel dhe për zhvillim të aftësive njerëzore, në aktivitetet e NATO-s dhe shkathtësive ushtarake, investohet në kuadro dhe ruajtjen e tyre posaçërisht në sistemin për mbrojtje kibernetike.

Dejvid Gir, ambasador i Bashkimit Evropian në Maqedoni të Veriut, theksoi se vlerësohet se një trilion dollarë amerikanë është dëmi që është shkaktuar nga sulmet kibernetike në suaza botërore përkatësisht se bëhet 1 për qind e BPV-së. Nuk ka dyshim, shtoi ai, se hapësira kibernetike tani është hapësirë edhe për luftë duke potencuar se Rusia bën sulme kibernetike për të shkaktuar frikë dhe si shembull e ceki sulmin e 14 janarit kur cak ishin 17 ueb-faqe në Ukrainë me porosi të shkruara në gjuhën ukrainase, ruse dhe gjuhë jo të mirë polake: Frikësohuni dhe priteni më të keqen. Më vonë përmes hapësirës kibernetike u sulmua infrastruktura e institucioneve, theksoi Gir.

Ambasadori holandez Dirk Jan Kop theksoi se nuk duhet vetëm të flitet për problemet me sigurinë kibernetike por njëkohësisht se duhet të punohet në gjetjen e përgjigjeve sistematike ndaj këtyre sfidave. Ai gjithashtu ceki një sërë projektesh që i mbështesin ndërkaq kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike.

Kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, theksoi në fjalimin e vet ambasadori anglez, Methju Loson, mendoni se kush e posedon internetin, kush e shfrytëzon dhe kush e rregullon dhe që të gjendet baraspeshë mes lirisë dhe shfrytëzimit të internetit është sfidë dhe detyrë e jashtëzakonshme.

Ai ceki të dhënat statistikore për shfrytëzimin e internetit dhe telefonisë celulare, si dhe për volitshmëritë nga shfrytëzimi i teknologjive të reja, por edhe se për rritjen e rreziqeve për keqpërdorime të internetit dhe sulmeve kibernetike nga individë dhe grupe të organizuara në mënyrë të re dhe më suptile. Ky është problem shqetësues dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, tha ai, i njeh rreziqet. Është themeluar Qendër për siguri kibernetike, Dëmi që është shkaktuar nga krimi kibernetik është me të vërtetë i madh dhe në raportin e vitit të kaluar qëndron se në Britani është vlerësuar në 27 miliardë funta. Më së shumti janë dëmtuar, siç tha ai, bizneset britanike.

Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, mes tjerash, theksoi se me rëndësi thelbësore është përkushtimi dhe inkluziviteti për t’u punuar në kultivimin e rezistencës kibernetike, bashkarisht me të gjitha palët e prekura, si dhe se në periudhën e fundit të gjitha vendet e rajonit janë të prekura nga sulmet kibernetike.

Edicioni i sivjetmë i e-Shoqëri.mk përbëhet prej shtatë panel diskutimeve, dy fjalimeve inspiruese, një debat televiziv dhe një shfaqje e filmit “Morat” nga Dina Duma (në Kinotekë), Aktivistë, ekspertë, gazetarë, nëpunës shtetërorë dhe mbështetës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë, paralajmërohet, do t’i ndajnë qëndrimet dhe mendimet e veta për transformimin digjital të administratës publike dhe shoqërive në Ballkanin Perëndimor, respektimin e të drejtave të njeriut në hapësirën onlajn, mbikëqyrjen dhe përpunimin biometrik të të dhënave, privatësisë, pasojat nga dhuna kibernetike në jetën reale, si dhe tejkalimin e hendekut gjinor në sigurinë kibernetike.

Konferenca do të përmbajë edhe diskutime për narrativet dezinformuese, efektet nga dezinformatat dhe ndikimet e dëmshme të huaja ndaj demokracisë në Maqedoninë e Veriut, si dhe për kërcënimet e sigurisë për demokracinë dhe përpjekjet evropiane në luftën kundër dezinformatave.

Related posts

Ndryshimi i modelit zgjedhor: Partitë më të vogla duan pjesë më të madhe nga kulaçi

e-max

Gërkovska: Me “E-inspektor” i forcojmë kapacitetet e të gjitha shërbimeve inspektuese

e-max

Kovaçevski: MPB do të sigurojë festim të sigurtë të 4 shkurtit, ditëlindjes së Goce Dellçevit

e-max