Sipërmarrësja nga Peja, Fatlume Sadiku, e pritur në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih ka pritur në ambientet e saj sipërmarrësen shqiptare në Zvicër, Fatlume (Sutaj) Sadiku, eksperte e Teknologjisë së Informacionit dhe Inteligjencës Artificiale dhe ish-hulumtuese në fushën e Informatikës së Mjekësisë.

Sipas njoftimit të Konsullatës, rrugëtimi i saj akademik dhe profesional përbën një shembull frymëzues të përkushtimit dhe kontributit të mërgatës shqiptare.

Me prejardhje nga Peja, znj. Sadiku ka ndërtuar një karrierë ndërdisiplinore që ndërthur teknologjinë, shëndetësinë dhe shkencën. Gjatë studimeve të Agronomisë në Universitetin e Prishtinës, ajo u përqendrua në lidhjen ndërmjet ushqimit dhe shëndetit. Pas shpërnguljes në Gjermani, studioi Shkenca Kompjuterike në Universitetin e Passaut, me Psikologjinë si fushë dytësore studimi.

Përvoja e saj shumëvjeçare përfshin punën si asistente shkencore në Klinikën Universitare të Frankfurtit dhe në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg.

Më pas, ajo ka punuar si menaxhere projektesh për transformimin digjital të klinikave dhe spitaleve zvicerane. Ndër to veçohet Spitali Universitar i Bazelit, të cilin e ka përfaqësuar në projektin kombëtar zviceran Swiss Personalized Health Network (SPHN), ku ka punuar si eksperte për integrimin, standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave klinike për qëllime hulumtuese. Ajo ka kontribuar gjithashtu në kërkimet shkencore për identifikimin e biomarkerëve për zbulimin e hershëm të sepsës dhe kancerit.

Që nga viti 2023, Sadiku drejton kompaninë e saj Mirditech GmbH në Thalwil të kantonit të Cyrihut, projektet e së cilës synojnë zbatimin e teknologjisë në transformimin e shëndetësisë drejt një kujdesi shëndetësor parandalues dhe të personalizuar.

Paralelisht, që nga viti 2015, ajo është përgjegjëse për menaxhimin dhe inovacionin digjital të ordinancës së bashkëshortit të saj, Dr. med. Xhafer Sadiku, internist dhe mjek familjar me mbi 25 vjet përvojë profesionale në klinika të ndryshme në Gjermani dhe Zvicër.

Gjatë takimit në Konsullatë u diskutua për përvojën e saj profesionale, zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe transformimin digjital të shëndetësisë.

Burimi:botasot.info