Rikthehen zjarret në të hapur në të gjithë territorin e vendit. Zjarr u regjistrua edhe në Shkup në rajonin e Kisella Vodës në afërsi të stacionit të vjetër hekurudhor.
“Shkaqet e zjarrit ende nuk dihen, ndërsa zjarrfikësit janë në terren dhe po punojnë në shuarjen e tij. Zjarri rrezikon të përfshijë edhe disa shtëpi, ndërsa qytetarët me vetë iniciativë janë përfshirë në shuarjen e zjarrit”, deklaroi Linda Ebibi, gazetare.
Dy ekipe të zjarrfikësve kishin arritur në vendin e ngjarjes.
Banorët që jetonin aty afër, nuk deshën të flasin para kamerës, por për Alsat thanë se në këtë vend për vite me radhë ndodhë e njëjta situatë, dhe nuk ndërmerret asnjë masë për parandalim.
Nga Qendra për Menaxhimin e Krizave ka njoftuar se gjatë ditës ka pasur disa zjarre të reja aktive në Komunën e Llozovës dhe Vrapçishtit. Ndërsa, zjarrfikësit po bëjnë përpjekje për shuarjen e zjarreve aktive edhe në 5 lokacione të tjera.
“Kemi lajmërim edhe për dy zjarre, në numrin 112 është paraqitur për një zjarr në fshatin Durfullija në komunën e Llozovës. Qendra rajonale për Menaxhim me Kriza në Veles ka njoftuar se zjarrfikësit, njësia territoriale kundër zjarrit në Sveti Nikollë tani më është informuar dhe janë në terren. Zjarri i dytë është në fshatin Senokos në komunën e Vrapçishtës dhe sipas njoftimeve është duke u djegur barë i thatë dhe pyll”, u shpreh Ilija Bojarovski, Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Zjarre aktive ka edhe në komunën e Çashkës, Studeniçan, Shtip, Dibër, ku kryesisht digjet pyll i përzier, barë i thatë, dhe vegjetacion i ulët, ndërsa nën kontroll janë vënë zjarret në komunën e Ohrit, përkatësisht në malin Galiçica, në komunën e Zhelinës dhe komunën e Novo Sellës. Vetëm në muajin korrik ka pasur 765 zjarre, ndërsa në muajin gusht deri më sot ka pasur mbi 800 zjarre. Kohëve të fundit policia ka ndaluar edhe persona, për shkak të shkaktimit të zjarreve me vetëdije, së fundmi policia ka ndalur një person nga Veleshta, pasi në fshatin e tij ka shkaktuar zjarr.