GazetaMax
Lajme

Skandali Eurovia, opozita shqiptare parashtron kallëzim ndaj BDI-së për korrupsion

Subjektet opozitare shqiptare, AlternAtivA – Lëvizja Besa – Lëvizja Demokratike, njoftuan dorëzimin e një kallëzimi për korrupsion dhe konflikt interesi në Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e BDI-së në korrupsion të majmë.

“Baza e këtij kallëzimi është dyshimi ynë se ka korrupsion dhe konflikt interesi në relacionet e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim me kompaninë EUROVIA, e cila paraqitet edhe si donatore e kësaj partie, por edhe si kontraktuese në punët që do të zhvillohen në Korridorin 8. Për informacion të opinionit, kjo kompani është donatore kryesore e BDI-së, duke i dhënë asaj rreth 70.000 EURO vetëm në vitin 2022. Në anën tjetër, pikërisht kjo kompani ka marrë tender në vlerë prej 1.8 milion euro nga Ministria e Jashtme, e cila drejtohet nga ministri i BDI-së, Bujar Osmani, ndërsa ajo paraqitet edhe si nënkontraktuese e Korridorit 8, ku përgjegjës për realizimin e punimeve nga ana e qeverisë është zëvendëskryeministri i parë, po ashtu kuadër i BDI-së – Artan Grubi. Dyshimi ynë është se kemi të bëjmë me larje parash dhe bërje biznes me këtë kompani”, tha Orhan Murtezani nga opozita e bashkuar shqiptare.

Partitë opozitare shqiptare thonë se në rastin EUROVIA ka haptazi konflikt interesi – një kompani që merr tenderë nga eksponentë të BDI-së njëherazi është edhe donatore e kësaj partie.

“Më qartë se kaq nuk ka si bëhet”, tha Murtezani, duke shtuar se bashkë me kallëzimin kanë dorëzuar edhe shumë fakte që e dëshmojnë këtë gjë.

“Duke qenë këtu, si subjekte që në mënyrë të veçantë angazhohemi në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, edhe njëherë theksojmë se diskursi europian dhe leksiku i mbushur me fraza patriotike për “ta shpëtuar shtetin dhe kombin” është i pamjaftueshëm për ta mbuluar korrupsionin e BDI-së, që është bërë identiteti i saj parësor dhe themelor. Për këtë arsye sot jemi këtu që të rikujtojmë se vlerë europiane është pikërisht lufta kundër korrupsionit, ndërsa patriotizëm është t’i luftosh të gjithë ata që flamurin e BE-së e përdorin që t’i mbulojnë eurot e përfituara nga korrupsioni politik”, deklaroi Murtezani i Alternativës.

Related posts

Hoxhaj: Krizat në rajon, dëshmi e kthimit të historisë për hegjemoninë serbe në Ballkan

Gazetamax.mk

Kriza energjetike ndikon edhe në ndotjen e ajrit

Gazetamax.mk

Deputetja Ajdari me urim për nxënësit dhe mësimdhënësit

Gazetamax.mk