Tuesday, April 28, 2026

Lajmi në kohë reale

SPAK dhe BKH kontrolle në Tiranë, Taulant Balla reagon pas aludimeve në rrjete sociale

Në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet italiane, Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë zhvilluar mbrëmjen e sotme disa kontrolle në një ambient të marrë me qira në godinën “Alban Tower”, përballë Kishës Ortodokse në Tiranë.

Sipas burimeve për Fax News, kontrollet kanë për qëllim gjetjen e materialeve apo sendeve të tjera me vlerë, në kuadër të një hetimi për mashtrim të dyshuar përmes call center-ave. Aksioni është zhvilluar pas marrjes së autorizimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndërsa kontrollet kanë vijuar edhe në objekte të tjera që prej orëve të para të mëngjesit.

Pas publikimit të lajmit, në rrjetet sociale dhe në disa media kanë qarkulluar aludime të pavërtetuara, sipas të cilave një familjare e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, konkretisht motra e tij, do të ishte e përfshirë në këtë grup të hetuar.

Në këtë kontekst, ministri Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke folur për përhapjen e lajmeve të rreme dhe nevojën për verifikim të informacionit. Balla shkruan:

“**Thënia e Ditës: ‘Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë.’
Në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi. Çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës. Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare.”

Deri në këto momente, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga SPAK apo BKH që të konfirmojë përfshirjen e ndonjë personi konkret, ndërsa hetimet vijojnë.

Latest Posts

Mos e humb lajmin