SPAK heton resortet e “Albanian Files”, Rama i përmendur në kallëzim

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedim penal për projektet turistike në zona të mbrojtura, të përfshira në materialet e njohura si “The Albanian Files”, në kallëzimin e të cilave përmendet kryeministri Edi Rama. Lajmi, i bërë publik gjatë fundjavës, ndezi debatin politik, ndërsa protestat në Tiranë vijuan me përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Sipas shkresës së datës 6 nëntor, të nënshkruar nga drejtuesi i SPAK-ut, Klodjan Braho, kallëzuesit janë njoftuar se mbi bazën e kallëzimit të tyre është regjistruar procedimi penal nr. 97, i datës 10 shtator 2026, dhe se ky procedim ndodhet në hetim.

Tri projekte në qendër të kallëzimit

Kallëzimi u depozitua më 12 gusht 2025 nga një grup ekspertësh dhe protestuesish. Ai u drejtohet kryeministrit Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të lidhura me projektet turistike në Zvërnec, Baks-Rrjoll dhe Divjakë-Karavasta. Kallëzimi mbështetet në hartën e resorteve mbi zonat e mbrojtura dhe në një bazë të dhënash me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Kallëzuesit kërkojnë që hetimi të mos kufizohet vetëm te këto tri projekte, por të shtrihet edhe te vendime të tjera të KKT-së dhe te raste të ngjashme në territore me status të mbrojtur.

Ende pa emra të regjistruar

Opozita e ka paraqitur zhvillimin si fillim të hetimit ndaj kryeministrit. Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili publikoi shkresën e SPAK-ut, deklaroi se Rama është zyrtarisht nën hetim dhe se “askush nuk është i paprekshëm”. Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, kërkoi që hetimi të zbardhë lidhjet mes arkitektëve, investitorëve dhe vendimmarrjes shtetërore.

Megjithatë, sipas informacioneve të bëra publike deri më tani, SPAK nuk ka regjistruar ende asnjë person nominalisht si të dyshuar apo si nën hetim. Regjistrimi i procedimit nuk do të thotë automatikisht se personat e përmendur në kallëzim kanë statusin e të pandehurit.

Kryeministri Rama, kur protestuesit e dorëzuan librin në SPAK, e kishte ironizuar nismën, duke e quajtur atë “Libri i Mallkuar”.

Gazetari holandez i ndaluar në protestë

Të shtunën, gjatë protestës para Kryeministrisë, Policia e Shtetit ndaloi gazetarin dhe autorin holandez Vincent W.J. van Gerven Oei, i cili ka shkruar për “Albanian Files”. Sipas rrjetit ndërkombëtar SafeJournalists, ai u prangos, u ekspozua ndaj spërkatjes me sprej djegës dhe iu sekuestrua telefoni. Gazetari u la i lirë pas rreth pesë orësh në Komisariatin nr. 3. Policia pretendoi se kishte pamje ku ai shfaqej duke hedhur gurë, pretendim që gazetari e mohon.

Telefoni iu kthye të dielën, pas ndërhyrjes së prokurorisë. Në reagimin e sotëm, SafeJournalists i kërkon policisë të sqarojë nëse përmbajtja e telefonit është aksesuar apo kopjuar dhe të hetojë përdorimin e forcës. Rrjeti ngriti shqetësim edhe për gazetaren e pavarur Alisa Braho, ndaj së cilës, sipas tij, u përdor sprej djegës ndërsa filmonte ndërhyrjen e policisë.

Burimi:botasot.info