Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga nyjet kryesore të transportit ajror në Evropë, ka anuluar rreth 90 fluturime këtë të diel, më 25 tetor, për shkak të erërave të forta të shkaktuara nga stuhia “Boelo”.
Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), shumica e fluturimeve të anuluara kishin si destinacion qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Parisin, Romën dhe Dublinin.
Problemet në aeroport kanë prekur edhe fluturimet që pritej të uleshin në Amsterdam, me dhjetëra prej tyre që janë anuluar ose kanë pësuar vonesa.
Në një njoftim zyrtar, aeroporti Schiphol paralajmëroi se kushtet e pafavorshme atmosferike do të kufizojnë numrin e ngritjeve dhe uljeve gjatë ditës.
Deri më tani, autoritetet e aeroportit nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të të gjitha fluturimeve të prekura nga stuhia, ndërsa situata vijon të ndikojë në trafikun ajror.
Udhëtarët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre përpara se të nisen drejt aeroportit.
Burimi:botasot.info
