GazetaMax
Lajme

Takim Kovaçevski – Novak: Evropës i nevojitet Maqedonia e Veriut

Shkup, 6 shkurt – Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot u takua me Presidenten e Hungarisë, Katalin Novak, e cila ndodhet për vizitë në vend. Në takim, siç informojnë nga Qeveria, u shpreh pritshmëria se kjo vizitë do t’i jep nxitje intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, veçanërisht pasi kjo është vizita e parë e një presidenti hungarez në Maqedoninë e Veriut në 20 vitet e fundit.

“U përcoll një mesazh i qartë se vendi ynë mund të llogarisë në mbështetjen e mëtejshme të Hungarisë në integrimet evropiane. U vlerësua se Republika e Maqedonisë së Veriut ka nevojë për Bashkimin Evropian, në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit dhe si shtet që praktikon vlerat evropiane, kultura e së cilës është e veçantë dhe evropiane dhe do të pasurojë familjen evropiane të popujve, shteteve dhe kulturave”, thuhet në kumtesën e sotme të Qeverisë.

Në takim bashkërisht është vlerësuar se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është i një rëndësie nacionale dhe strategjike për vendin tonë, por edhe për tërë Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën, prandaj nevojitet fokusi i të gjitha subjekteve politike në vend drejt realizimit të këtij qëllimi.

Kryeministri Kovaçevski shprehu falënderim për mbështetjen e zëshme të Hungarisë për perspektivat evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për mbështetjen e zgjerimit të BE-së, si politika më e rëndësishme strategjike e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se për Maqedoninë e Veriut, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të vendit dhe se Qeveria është e vendosur fuqishëm për dialogun si mekanizëm për zgjidhjen e çdo çështjeje të hapur. Ai e theksoi edhe vendosmërinë e Qeverisë për zbatimin e reformave, të cilat po zhvillohen paralelisht me përballimin aktual të sfidave të krizës globale ekonomike dhe energjetike.

Lidhur me kryesimin e OSBE-së, kryeministri Kovaçevski u shpreh i bindur se Maqedonia e Veriut do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës, në kontekstin e zhvillimeve aktuale për shkak të luftës në Ukrainë, me vendosjen e shtetit qind për qind në përputhje me politikat e jashtme të BE-së.

Në takim u vlerësua se Maqedonia e Veriut dhe Hungaria kanë bashkëpunim të mirë si anëtarë të NATO-s, se bashkëpunimi ekonomik po shënon trend rritës, si dhe se shihen mundësi për zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare, investimeve, energjetikës, arsimit.

Kryeministri Kovaçevski i shprehu falënderim presidentes hungareze Novak, për donacionet dhe për ndihmën e shpërndarë humanitare nga Hungaria gjatë kohës së pandemisë.

Related posts

Escobar: “Ballkani i Hapur” iniciativë e shkëlqyeshme, të mbetet projekt ekonomik, jo politik

Gazetamax.mk

Esmeralda Mallosi: Politika është një mjet i fuqishëm për të adresuar çështje të rëndësishme sociale

Gazetamax.mk

Qytetarët ankohen për kontrata jotransparente nga “shitoret e parave”

Gazetamax.mk