GazetaMax
LAJME

Takim Osmani – Landsbergis: Mbështetje konsistente nga Lituania për eurointegrimin e vendit

Shkup, 9 nëntor – Duke ndarë vlera të përbashkëta evropiane, Maqedonia e Veriut dhe Lituania ndërtojnë me përkushtim ura të miqësisë dhe bashkëpunimit, por edhe kërkojnë zgjidhje për përballje me sfidat e përbashkëta, vlerësuan në takimin e sotëm në Vilnus ministri i Punëve të jashtme, Bujar Osmani dhe kolegu i tij lituanez, Gabrielius Landsbergis.

Vizita kthyese në Lituani realizohet me ftesë të Ministrit lituanez Landsbergis, i cili, njëherit është edhe nikoqir i Forumit të Dytë të nivelit të lartë për të Ardhmen e Demokracisë, i cili mbahet në Vilnus.

Në takim u konfirmua dinamizimi i dialogut politik, i cili këtë vit rezulton me dy vizita bilaterale në Shkup dhe Vilnus dhe paraqet inkurajim për ndërtimin e marrëdhënieve dhe partneritetit më të ngushtë. Në tri dekadat e fundit, duke ndarë vlera të përbashkëta evropiane, Maqedonia e Veriut dhe Lituania në mënyrë të përkushtuar po ndërtojnë ura miqësie dhe bashkëpunimi, si dhe kërkojnë zgjidhje për t’u ballafaquar me sfidat e përbashkëta.

Ministri Osmani falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë të Republikës së Lituanisë në lidhje me integrimin evropian të vendit tonë dhe për artikulimin e nevojës për një Ballkan Perëndimor stabil dhe demokratik si dhe për anëtarësimin e tij sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian.

“Fakti që Lituania është pjesë e grupit të miqve të zgjerimit është shumë domethënës dhe inkurajues për Maqedoninë e Veriut”, theksoi Osmani.

Në këtë kontekst, ministri Osmani informoi për procesin aktual të skriningut, si fazë jashtëzakonisht e rëndësishme në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe për aktivitetet që na presin në periudhën e ardhshme.

Njëherazi, dinamika e re e zhvillimeve gjeopolitike, si pasojë e luftës në Ukrainë, imponon nevojë për unitet dhe bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Aleancës.

“Forcimi i krahut lindor të Aleancës së NATO-s dhe uniteti ynë si aleatë të NATO-s në lidhje me mbrojtjen e çdo pëllëmbe të territorit të vendeve anëtare të NATO-s është kontribut ndaj sigurisë globale, rajonale të çdo vendi individualisht”, tha Osmani.

Ministri Landsbergis shprehu bindjen dhe gatishmërinë se Lituania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke besuar se integrimi evropian është shtytës i fuqishëm i proceseve reformuese, sepse inkurajon ndryshime pozitive, prosperitet dhe stabilitet.

Landsbergis informoi për situatën në Baltik dhe rreziqet e sigurisë në fqinjësinë e afërt, të shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainës, me ç’rast e rikonfirmoi nevojën për solidaritet të njëzëshëm për të mbështetur qytetarët ukrainas që luftojnë për liri, në dhe jashtë vendit. Në këtë kontekst, Lituania rikonfirmon qëndrimin se harmonizimi i plotë i Maqedonisë së Veriut me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë vlerësohet lartë nga Vilnusi zyrtar, si hap që konfirmon unitetin dhe solidaritetin tonë.

Të dy ministrat shkëmbyen mendime për zhvillimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, si dhe për nevojën urgjente për dialog dhe respekt të ndërsjellë për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për mbylljen e çështjeve të hapura. Ministri Osmani informoi edhe për kryesimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, duke shpresuar për bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje nga Lituania mike.

Related posts

Kovaçevski: Punojmë të mos ketë rritje të çmimit të rrymës, në disa segmente mund të ketë ulje

e-max

Morgjet në Bjellorusi janë mbushur me ushtarë rus

e-max

BDI vazhdon me Investimet në infrastrukturën rrugore në Tetovë

e-max