Në një tubim të mbajtur me rininë kërçovare, kandidati për kryetar të Komunës së Kërçovës nga koalicioni AKI, Fatmir Dehari, dha mesazhe të fuqishme për vazhdimësinë, përkushtimin dhe rolin jetik të rinisë në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.
Duke folur me emocion dhe vendosmëri, Dehari theksoi se rinia gjithmonë ka qenë në ballë – si në kohë lufte, ashtu edhe në paqe.
“Mos harroni, një i ri në shpirt dhe me guxim përpara, unë i kujtoj me respekt të moshuarit tanë të kohës së ish-Jugosllavisë, ku prindërit tanë shqetësoheshin për padrejtësitë ndaj kombeve. Por ajo energji rinore është ende këtu, ai guxim nuk është shuar,” tha Dehari.
Ai përkujtoi rolin historik të rinisë në Kosovë dhe në UÇK, duke përmendur se ky shpirt luftarak dhe vizionar sot përfaqësohet nga lideri i lëvizjes kombëtare dhe simboli i bashkimit politik, Ali Ahmeti.
“Njeriu që i bartte proceset dhe protestat, udhëheqësi i fuqisë rinore, është sot mes nesh – Ali Ahmeti.
Dhe ne jemi krenarë që kemi këtë vazhdimësi të vlerave në udhëheqje.”
Në fjalimin e tij, Dehari u ndal edhe te rëndësia e respektit për të kaluarën dhe amanetin e dëshmorëve:
“Rinia e dikurshme pati guxim për liri, ndërsa ju sot dëshmoni se e respektoni atë liri, dëshmorët e kombit dhe heroin tonë kombëtar. Me këtë, dëshmoni se doni të tashmen dhe të ardhmen,” theksoi ai.
Duke u drejtuar drejtpërdrejt të rinjve të Kërçovës, Dehari përmbylli fjalimin me një mesazh të fortë bashkimi dhe besimi:
“Ju më keni bërë të ndiej se jam përsëri rini – sepse ajo ndjenjë që më jepni quhet besim. Dhe besimi është fjalë e shenjtë në traditën tonë. Është fjalë që nuk thyhet. Dhe ne nuk do ta thyejmë – do të vazhdojmë bashkë me ju të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët”.