Në komunikatat zyrtare, takimi i zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti me ambasadoren amerikane në Shkup, Angela Aggeler u paraqit si një bisedë për ruajtjen e Liqenit të Ohrit. Fjalë të bukura për ekologjinë, turizmin, troftën e Ohrit dhe monitorimin limnologjik. Por, kush e njeh diplomacinë amerikane, e di mirë se SHBA-të nuk humbasin kohë me detaje teknike, por ata dalin me mesazhe politike.
Shkruan: Drita Beqiri
Ndërkohë në rajon po ndodhin zhvillime serioze, lista e zezë amerikane po zgjerohet. Dy ish zyrtarë të lartë nga Mali i Zi, Millo Bozhoviq dhe Vesna Medenica u përfshinë së fundi në këtë listë nën dyshime për korrupsion të nivelit të lartë dhe për lidhje me trafikun e drogës. Kjo nuk është rastësi, është një sinjal paralajmërues për gjithë Ballkanin.
Pyetja që duhet të shtrojmë sot është, vallë takimi mes Izet Mexhitit dhe Angela Aggeler-it ishte vërtetë shtjellimi i këshillave të ekspertëve për Ohrin, apo paralajmërime për emra të ri nga Maqedonia e Veriut që së shpejti do të futen në Listën e Zezë amerikane?
Tashmë të gjithë e dinë se Artan Grubi dhe Ramiz Merko janë në këtë listë, mos ndoshta ambasadorja Aggeler i tregoi sot Mexhitit se kush do të jetë i radhës? A u përmendën ish zyrtarë që kanë ndërtuar karriera mbi korrupsionin, tenderat klienteliste dhe lidhjet me krimin e organizuar?
Ambasadorja Ageler mund të ketë buzëqeshur para kamerave, por mes rreshtave mesazhi i saj ishte i qartë, Amerika nuk do të tolerojë më “peshqit e mëdhenj” të politikës së korruptuar dhe kjo është arsyeja pse takimi Mexhiti-Aggeler ka shumë më tepër peshë politike se sa shfaqet në komunikatat zyrtare!
Nëse politika jonë vazhdon ta lexojë këtë takim si “diskutim për turizmin”, atëherë shumë shpejt disa nga ish figurat më të zhurmshme të Maqedonisë së Veriut do ta shohin veten në listën e e zezë të State Departmentit dhe atëherë, Ohri nuk do të jetë më tema kryesore, por korrupsioni i tyre personal.