GazetaMax
Lajme

Takimi Osmani- Kuinti i ambasadorëve të OSBE-së: Maqedonia e Veriut e gatshme t’i sigurojë OSBE-së udhëheqje politike

Shkup, 6 shkurt – Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i sigurojë OSBE-së udhëheqje politike, theksoi kryesuesi me OSBE-në, Bujar Osmani në takimin e sotëm me “Kuintin” e ambasadorëve të OSBE-së nga Vjena.

Siç informojnë nga MPJ, fjala është për ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, me të cilët Osmani përsëriti edhe një herë përkushtimin e Kryesimit me OSBE-në në vitin 2023, por edhe shprehu mirënjohjen e fortë për mbështetjen e vazhdueshme në zbatimin e programit.

Osmani iu referua prioriteteve të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut për gjetjen e mënyrave për promovimin e ndryshimeve pozitive për njerëzit, me fokus primar praninë në terren të OSBE-së dhe mbështetjen e punës së misioneve në terren në mbarë rajonin, me qëllim që ata të vazhdojnë të japin rezultate, veçanërisht në kontekstin aktual kompleks.

“Motoja jonë ‘Fjala është për njerëzit’ pasqyron orientimet dhe synimet tona si kryesues të OSBE-së dhe Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i ofrojë udhëheqje politike Organizatës, duke u përpjekur të kontribuojë në proceset për stabilitet më të madh që janë kyçe për sigurinë e përgjithshme evropiane”, tha Osmani.

Në takimin me “pesëshen e madhe”, ndër të tjera është biseduar edhe për mbështetjen ndaj Ukrainës, për të cilën Osmani ka ripërsëritur se do të bëhet fjalë edhe për mbështetje programore për të zbutur vuajtjet dhe shkatërrimet e shkaktuara nga agresioni rus, por edhe përkujtoi se në kuadër të Kryesimit, Maqedonia e Veriut do të jetë vigjilente dhe e angazhuar në vazhdimësi për rajonet tjera të krizës që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.

“Ne jemi dëshmitarë të rritjes së tensionit në Evropën Lindore, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në rajonin tonë të Evropës Juglindore, si rezultat i agresionit aktual. Do të mundohemi t’i adresojmë edhe ato sipas prioriteteve sa më shumë në rrethanat aktuale”, tha Osmani.

Në kontekst të kësaj Osmani shtoi se pavarësisht sfidave aktuale në rajonin tonë, si kryetar i OSBE-së do të fokusohet në një agjendë që mund të forcojë më tej përpjekjet për pajtim dhe ndërtimin e besimit.

“Lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i qeverisjes së mirë do të jetë në krye të listës sonë të prioriteteve, sepse është një dobësi e përbashkët që kërcënon zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik. Do të fokusohemi edhe në angazhimin e përbashkët për përballimin e sfidave të përbashkëta mjedisore”, nënvizoi më tutje ministri Osmani.

Në takimin me “Kuintin” e ambasadorëve, kryesuesi Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e tyre politike, duke iu referuar rëndësisë së gjetjes së sinergjive të përbashkëta në kuadër të përmbushjes së vlerave të Organizatës dhe ecjes përpara të proceseve, por duke mos u shmangur nga parimet dhe angazhimet e OSBE-së.

“OSBE-ja ka shumë për t’u ofruar të gjitha rajoneve në zonën e OSBE-së për të zbutur tensionet dhe për të rivendosur dialogun kritik. Të gjitha palët duhet të njohin dhe të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e kësaj platforme. Ne do të mbetemi të fokusuar në esencën e mandatit të Organizatës sonë, që është mbështetja për një organizim funksional dhe fleksibël, promovimi i sigurisë njerëzore përmes mbështetjes për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe bashkëpunimin mjedisor, si dhe mbështetjen për të drejtat themelore të njeriut, tolerancën dhe mosdiskriminimin, si parakusht për siguri të gjithanshme”, ka përfunduar Osmani.

Related posts

Merita Dema, femra e parë shqiptare që emërohet anëtare e KRRE-së

Gazetamax.mk

Kovaçevski: Do të sigurohet shumicë për ndryshimet kushtetuese

Gazetamax.mk

Seanca për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese vazhdon nesër

Gazetamax.mk